Një luftë e vërtetë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan. Persona ende të paidentifikuar që ishin në një makinë kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të një personi, duke terrorizuar të gjithë banorët. Prej ditësh krimi bën ligjin në Elbasan, ndërsa policia është e paralizuar. Në fakt, jo vetëm Elbasani, por i gjithë vendi ndodhet në duart e krimit.
Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur në kompleksin “Univers” në Elbasan që është në pronëri të familjes Çapja. Kanë qenë disa persona, të cilët ishin në një makinë dhe qëlluan me breshëri të shumta kallashnikovi. Të shtënat e armëve kanë krijuar frikë dhe panik tek qytetarët, sidomos tek klientët që ndodheshin në lokalet në vendin ku ndodhi ngjarja, si dhe te kalimtarët e rastit. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa janë nisur edhe forcat RENEA nga Tirana. Burime nga policia bënë të ditur se pjesëtarë të fisit Çapja kanë qëlluar me armë ndaj forcave të policisë në ambientet e kompleksit “Univers”. Mësohet se pranë një prej bizneseve të fisit Çapja, ishin vendosur me mision vëzhgimi katër efektivë policie të veshur civilë, me makinë private.
Në këtë moment, djemtë e fisit Çapja, duke menduar që policët, mund të jenë hasmë të tyre, kanë qëlluar me armë mbi ta. Kur efektivët civilë janë larguar me makinë, autorët i kanë ndjekur dhe këtu ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes fisit Çapja dhe efektivëve. Dy pjesëtarë të fisit Çapja janë shoqëruar në polici, ndërkohë nuk raportohet për të lënduar. “Çapajt qëllojnë mbi Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit i kundërpërgjigjet sulmit me armë. Policia shoqëron dy prej tyre në Polici. Po vijon puna për kapjen e personit të tretë që sulmoi Policinë. Nga sulmi s’ka të dëmtuar nga forcat e policies. Nuk ka të dëmtuar as nga personat që sulmuan policinë. Po kqyret vendi i ngjarjes në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm dy ditë pas asaj ku mbetën të plagosur dy persona pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan. Në orët e para të mëngjesit të së hënës persona të panjohur për policinë hapën zjarr me kallashnikov ndaj një makine. Si pasojë mbeti e plagosur një punonjëse policie dhe Bledar Muça, i njohur si mik i Florenc Çapjas, i cili ndodhej me të në makinë. Për këtë ngjarje nuk ka asnjë të ndaluar nga policia.