Jorida Tabaku, nënkryetarja e Komisionti të Ekonomisë ka dalë sot para medias nga selia e PD për të denoncuar barrën e taksave të shtuara nga qeveria mbi bizneset. Barrës së taksave të rritura për këtë vit iu shtua edhe TVSH për biznesin e vogël e njëkohësisht edhe taksa e pronës, deklaroi Tabaku.
Që nga shtatori 2013 ka vetëm një lajm të sigurtë, taksat rriten çdo vit, por rritje pagash e pensionesh nuk ka. Për pesë vite me radhë Rama ka rritur çdo taksë të mundshme për qytetarët, bizneset, studentët e deri tek pensionistët.
Sa herë që Rama përbetohet se 97% e shqiptarëve paguajnë më pak, aq herë ai gënjen dhe, po aq herë, ai u vjedh shqiptarëve para nga xhepat e tyre duke shpikur taksa dhe tarifa.
Barrës së rëndë të taksave të rritura iu shtua këtë vit TVSH-ja për biznesin e vogël, por edhe taksa e rritur për pronën. Sot, një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku.
Një biznes në qytetin e Tiranës për vitin 2018 paguan taksë prone të rritur nga qeveria socialiste, 510 mijë lekë ndërkohë që nga viti 2015 e deri në vitin 2017 taksa e pronës në total kishte vlerën e 282 mijë lekëve.
Siç edhe duket qartë, një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë.
Mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit.
Në 4 muaj, 5834 biznese kanë ulur qepenat. Për vitin e shkuar ky bilanc ishte me 3 mijë biznese të mbyllura më shumë se sa ato që u hapën.
Qeveria e një grushti oligarkësh që, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, prodhon ligje me emrat e tyre, me rritjen e taksave, merr nga xhepat bizneseve dhe qytetarëve 2 miliardë Euro më shumë.
Brenda 5 viteve në pushtet, Edi Rama, që premtoi uljen e taksave për 97 përqind të shqiptarëve,
• Rriti taksën e qarkullimit me 150%,
• Rriti tarifat e arsimit të lartë me 30%,
• Rriti energjinë elektrike me 24% për treçerekun e rriti familjeve
• Rriti tatimin mbi të ardhurat personale me 23%,
• Rriti tatimin mbi fitimin nga 10% e rriti në 15%.
Qeveria socialiste dhe kryeministri Rama e kanë shndërruar mekanizmin e politikës fiskale në një armë me të cilën godasin pa mëshirë biznesin e ndershëm dhe amnistojnë dhe u falin taksa oligarkëve pranë tyre. Kjo qeveri ka përkëdhelur dhe u ka falur taksat atyre që sot ndërtojnë kullat e betonit në qendër të qyteteve, që betonojnë bregdetin tonë ndërsa godet me kamzhikun e taksave xhepat e tregtarëve dhe biznesit të ndershëm.