Shumë teste, me lojtarë dhe rreshtime të ndryshme në fushë, megjithatë në fund Gianni De Biasi i kthehet skemës që i dhuroi Shqipërisë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian. Në debutimin përballë Zvicrës, të shtunën në Lens, trajneri kuqezi pritet ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-5-1, me një mesfushë solide, që do t’i lejojë pak hapësira kundërshtarëve. Përpara portierit Etrit Berisha, në qendër të mbrojtjes do të jenë dyshja e përbërë nga Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj do të jetë në krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli majtas. Në mesfushë, Burim Kukeli është plotësisht gati për të luajtur përpara mbrojtjes, në rolin e organizatorit të parë, për të shpërndarë topin dhe të diktojë ritmin e lojës.
Përpara tij janë Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka, dy motorët e mesfushës, që do të mbajnë edhe peshën më të madhe gjatë sfidës me Zvicrën, jo vetëm në fazën difensive, por edhe në daljet e shpejta. Odise Roshi nga e djathta dhe Ermir Lenjani nga e majta do të kenë detyrën e zakonshme që të nisin kundërsulmet e Shqipërisë, në mbështetje të Armando Sadikut, që duket se e ka fituar balotazhin në sulm me Cikalleshin dhe Balaj-n.
Kjo është taktika e provuar nga De Biasi në stërvitje, me kuqezinjtë që pritet të luajë njësoj si në miqësoren e fundit kundër Ukrainës, me ndryshimin se në qendër të mesfushës kthehet Kukeli, ndërsa Ergys Kaçe kthehet në stol.
Stafi teknik i Kombëtares është përqendruar gjithashtu edhe te goditjet standarde, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në fazën mbrojtëse, për të marrë masat që skuadra të mos kapet më në befasi, ashtu si ka ndodhur në miqësoret e fundit. Përveç grintës dhe luftës së fortë sportive në fushë, përqendrimi dhe zbatimi me fanatizëm i detyrave taktike mund të jenë çelësi i suksesit të shtunën përballë Zvicrës.
“Kombëtarja qëndroi pushim gjatë paradites së të enjtes, pasi seanca u anulua nga trajneri Gianni De Biasi. Vendimi i marrë pasditen e së mërkurës lidhet me faktin që skuadra të shplodhet, në prag të debutimit të së shtunës në Kampionatin Europian, në sfidën me Zvicrën. Stafi teknik zgjodhi që lojtarët të pushojnë pas stërvitjes me ritme shumë të larta, nga grumbullimi në Austri, për të vazhduar me përgatitjet në Itali dhe tashmë në Francë. Pushimi është kërkuar edhe nga vetë lojtarët, për të rikuperuar forcat”.
12 orë relaks, cilësohen si një mënyrë e mirë që kuqezinjtë të rikuperojnë energjitë përpara ndeshjes me Zvicrën në Lens. Pas përgatitjeve prej afro dy javësh me intensitet të lartë, forma fizike e futbollistëve duket se e ka bindur stafin teknik, që për të evituar ngarkesa të panevojshme në stërvitje i la lojtarët të pushojnë.
Përfaqësuesja do t’i kthehet përgatitjeve pasditen e sotme, prej orës 17:30. Për faktin se dueli me Zvicrën është fare pranë, trajneri De Biasi dhe stafi i tij do të përqendrohen te ushtrimet taktike. Në ndeshjen e parë në një turne madhor, gjithçka do të jetë e studiuar deri në detaje, për të bërë të mundur që Shqipëria të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme në takimin me historinë.