Hije dopingu në Botëror, del klasifikimi që ngre shumë dyshime

Dy fitore të njëpasnjëshme me tetë gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar. Rusia ka siguruar kualifikimin dhe është kombëtarja me formën më të mirë fizike në këtë Botëror. Ekipi i trajnerit Stanislav Cherchesov ka befasuar shumë tifozë dhe kritikë që nga ndeshja e parë, duke fituar më shumë besueshmëri pas një periudhe të keqe të kaluar para fillimit të Kupës së Botës.
Por, nga ana tjetër e botës, është dikush që ka ngritur dyshime për formën e mirë fizike të Golovin me shokë. Siç ka bërë të ditur e përditshmja britanike “Telegraph”, pas fitoreve me Arabinë Saudite dhe Egjiptin, kreu i agjencisë antidoping amerikane (USADA), Travis Tygart, i ka kërkuar FIFA-s kontrolle më të kujdesshme antidoping.
Nga të dhënat e para që kanë lidhje me paraqitjen fizike të lojtarëve që luajnë në Botëror, në krye të renditjes të “distancës mesatare të përshkuar në nëntëdhjetë minuta” janë plot tre lojtarë të vendasve. Një rezultat ky që e ka bërë të dyshojë Tygart: “Kombëtarja ruse duhet t’i nënshtrohet testeve të tjera për të garantuar integritetin e Botërorit, – ka thënë numri një i USADA-s. – Rregullat ndërkombëtare parashikojnë që përmirësimet e papritura në paraqitjet e një skuadre duhet të monitorohen”.
Kreu i agjencisë amerikane, i cili ka qenë një nga të parët që ka akuzuar Lance Armstrong, ka drejtuar gishtin nga zotët e shtëpisë. Gjithsesi, asnjë përgjigje zyrtare nuk ka ardhur nga kombëtarja ruse. Ndërkohë, FIFA ka bërë të ditur se, Rusia ka qenë “një nga skuadra më të kontrolluara” në prag të Botërorit.

distanze

Artikulli paraprakPalaço-Vettingu, si hakmarrje politike!
Artikulli tjetërPlas te Argjentina, lojtarët kërkojnë shkarkimin e trajnerit Sampaoli