Korrigjues mendjekyçur me çelës në qafë

Nga Namir Lapardhaja

(Nxënësit e shkëlqyer vlerësohen me tetë, ndërsa kopjacët me nëntë)
Kanë dalë notat e provimit të maturës së letërsisë. Vijnë vetëm disa ditë pas atij të anglishtes dhe pak ditë para testimit të matematikës. Nga një pyetësor i shpejtë që u bëra nxënësve, më rezultoi ajo që kisha pasur frikë një vit të tërë: nxënësit, përgjithësisht, të dobët kanë marrë nota të mira (midis 7 dhe 8), ndërsa nxënësit e mirë dhe shumë të mirë kanë rënë tek niveli midis notës 7 dhe asaj 8. Për një nxënës/e të dhjetës, që ka qenë sistematik, serioz përgjatë gjithë gjimnazit, rënia nga nota 10 tek 8 në provim është, pothuajse, traumatike, kurse për nxënësin e nivelit të notës 5 dhe 6, arritja tek nota 7 dhe 8 në provimin e maturës shtetërore është fitore e madhe dhe bekim i ardhur nga forca të mbinatyrshme.
Mirëpo, nuk është as rasti as momenti për të analizuar ndërhyrje nga “lart”, ndaj do të na duhet që analizën tonë ta sendërtojmë mbi bazën e elementeve tokësor, pse jo dhe nëntokësor.
Për parantezë, kësaj analize po i ndërkall një element që kaloi në heshtje dhe u paraqit si triumfalizëm: bëhet fjalë për provimin e anglishtes ku nxënësit e mirë dhe shumë të mirë, kryesisht, morën vlerësim maksimal, ndërsa nxënësit e dobët morën, përgjithësisht, vlerësime midis notave 7 dhe 8.
Që nxënësit e mirë të arrijnë rezultate të larta në provimin e gjuhës angleze, është mëse e kuptueshme. Shto këtu edhe çudinë që mund të ndodhë vetëm në sistemin arsimor në Shqipëri, ku nxënësi përgjatë 3 vjetëve përgatitet për nivel B2 në anglisht, ndërsa teza e provimit është e nivelit B1, apo edhe atë se provimi i gjuhës angleze nuk realizohet në të gjithë komponentët e gjuhës (me shkrim, dëgjim, të folur, lexim), ose qershinë mbi tortë që çdo nxënës në gjuhën angleze ka dy mësues: një në kurs dhe një në shkollë.

Pra, ndërsa nxënësi i mirë me rezultate të larta në anglisht është lehtësisht e kuptueshme dhe e pranueshme, si ka mundësi që nxënësit e dobët dhe shumë të dobët arrijnë rezultate të larta në këtë provim?! (Për të mos e zgjatur, të gjitha përgjigjet që kanë të bëjnë me rëndësinë e gjuhës, në këtë rast janë, pothuajse, pa vlerë, ngase bëhet fjalë për nxënës të dobët dhe shumë të dobët).
Le t’i rikthehemi analizës sonë dhe argumentit tonë kryesor: çfarë ka ndodhur në provimin e letërsisë.
Fenomeni që nxënësit e mirë dhe shumë të mirë dalin me rezultate të pakënaqshme në provimin e letërsisë nuk është i ri, por që nxënësit e dobët dhe jo të mirë të arrijnë rezultate të mira dhe të larta është shndërruar në rregull, duke ardhur çdo vit e duke e zgjeruar edhe më shumë këtë kategori.
Por çfarë ndodh në të vërtetë?
Së pari, pavarësisht retorikës, por edhe përpjekes nga ana e autoriteteve shtetërore, nxënësit tanë kopjojnë. Nuk po analizoj se kjo bëhet me qëllim apo jo, mirëpo këto lloj rezultatesh janë vetëm një tregues i vogël i këtij fenomeni.
Nxënësit tanë janë mësuar që në sistemin arsimor 9-vjeçar se provimi i lirimit, pavarësisht se nuk është mësuar fare përgjatë gjithë shkollës, merret me të kopjuar, me të ndihmuar dhe me të toleruar. Me këtë filozofi dhe mentalitet nxënësi i dobët vjen edhe në gjimnaz. Pavarësisht përpjekes së madhe të mësuesit, askush nuk ia zhbën atij idenë dhe mendimin se, sido që të kalojnë 3 vitet e shkollës, ai në fund do të gjejë një mënyrë për të kopjuar, ngase ashtu ka vepruar më parë e ashtu do të vijojë edhe më tej. Madje, edhe në shkollë të lartë shkohet me këtë mentalitet: do të bëjmë si kemi bërë në gjimnaz e si kanë bërë edhe të tjerët para nesh.

Është një kulturë e përgjithshme që shoqëron individin në në të gjitha hallkat e sistemit arsimor. Janë nxënës që kopjojnë në bankat e shkollës dhe mësues që tentojnë dhe bëjnë të njëjtën gjë kur janë përballë atestimit apo kualifikimeve të tjera.
A mund të zhbëhet ky fenomen dhe a ka nje recetë zgjidhjeje?!
Mendoj se jo! Nuk është çështje që zgjidhet me dhunë, me forcë apo me policë. Një popull që shet votën dhe ankohet për 4 vjet me radhë, që mes së fortit dhe të urtit zgjedh të parin, kurse mes së mënçurit dhe hajdutit, vlerëson këtë të dytin si djalë të zotë, nuk e ka problem fare që të kopjojë në provim, por edhe të lërë e të tolerojë të tjerët kur të jenë duke zhvilluar provim.
Pra, mendoj se këtë problem nuk e zgjidhin as zhurmuesit që vendosen për celularët që të mos funksionojnë, as kontrollet trupore nga ana e policisë etj., ngase të parët mund të fiken për sa kohë që bëhet fjalë për teknologji, e cila komandohet nga dora e njeriut, dhe as të dytit për sa kohë që në trupin e njeriut ka vende ku nuk mund të futet lehtësisht dora e njeriut.
Përveç rezultateve aksidentale të nxënësve të dobët, sipas analizës sonë të mësipërme në masë të madhe ato janë si pasojë e këtij fenomeni, çfarë ndodh me nxënësit e mirë dhe shumë të mirë në provimin e maturës shtetërore, specifikisht në lëndën e letërsisë?
Mendoj se ka disa elemente dytësore, të cilat janë normale për këtë grupmoshë dhe një element mjaft të rëndësishëm, që duhet të rishihet dhe duhet t’i jepet një zgjidhje përfundumtare, aq sa mund të zgjidhen problemet në fushën e studimeve letrare.
Problemet dytësore janë ato që i ndodhin adoleshentit përballë presionit të kohës, ambientit dhe testimit. Nxënësi i mirë është i predispozuar të bllokohet dhe rrjedhimisht kjo mund ta çojë në dështim. Po ashtu, nxënësi ynë i mirë është i predispozuar të ndihmojë shokun ose shoqen që ka përpara apo prapa dhe të ngelet vetë pas, pse jo nga shpërqëndrimi edhe të gabojë.

Pavarësisht kësaj, problem ngelet përgjigjja që më dha një nxënësja ime me të qeshur, e cila më tha që në tezën e saj mori notën 8, ndërsa në tezën e punuar po prej saj të një shoqeje tjetër mori notën 9. Ishte e njëjta tezë, e njëjta dorë nxënëseje dhe të njëjtat përgjigje. Njëra vlerësohet me 8, kurse tjetra me 9. Çfarë ka ndodhur?
Duke qenë se nuk kemi të bëjmë me shkencë ekzakte, por me një fushë, ku sipas të gjitha teorive “kemi aq interpretime për një vepër letrare sa kemi edhe lexues”, rrjedhimisht çështja e korrigjimit të provimit të letërsisë lë shumë vend për “abuzim” dhe subjektivizëm nga ana e korrigjuesve.
Ndërkohë që kemi të bëjmë me letërsi, ne ende vijojmë që analizën dhe interpretimin tonë ta ndërtojmë mbi pyetjet çelës të “Çelësit të letërsisë” dhe ato që na kërkohen si përgjigje të sakta për çdo testim paraprak.
Pra, ajo që ndodh rëndom në kësi rastesh është se korrigjuesi i këtyre testimeve, ka përgjigjet “e sakta” të çelësit të provimit dhe tezat e nxënësve i korrigjon me atë lupë. Pavarësisht se në fund të çdo përgjigjeje thuhet se e saktë merret dhe çdo përgjigje që i afrohet përgjigjes çelës, gjithsesi, përpara se të shkohet tek kjo ka disa alternativa përgjigjeje.
Në vend që ne të inkurajojmë mendimin analitik, krijues dhe origjinal të fëmijëve tanë, ne në një farë mënyre i shndërrojmë ata në robër të klisheve dhe të përgjigjeve mekanike, ndërkohë që përgjigjja e tyre mund të jetë shumë më shumë origjinale dhe shumë më shumë e përshtatshme për atë pyetje.
E gjithë kjo probelmatikë dhe ky kaos zgjidhet vetëm nëpërmjet një rruge: rikorrigjimit nga një individ ose komision tjetër i të gjithë atyre testeve që nxënësit mendojnë se janë korrigjuar gabim dhe u është hyrë në hak padrejtësisht.
Edhe këtu do të shohim se do të ketë aq rikorrigjime të ndryshme sa do të kemi edhe korrigjues, ku korrigjimi i dytë do të jetë i ndryshëm nga i pari, ndërsa i treti i ndryshëm nga i dyti.
Problemi i korrigjimit të tezës së maturës shtetërore është një fenomen që përsëritet çdo vit. Do të ishte në të mirë të nxënësit dhe të sistemit tonë arsimor që të rishihet e gjithë filozofia e korrigjimit të kësaj lënde, duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një shkencë ekzakte, por me një fushë që vlerë më të madhe se përgjigjja në vetvete ka kreativiteti, stili i të shkruarit, origjinaliteti etj.

Artikulli paraprak500 banorë pa rrugë e pa ujë, kryetari i bashkisë: Nuk e kuptoj pse ankohen!?
Artikulli tjetër“Shqiponja” Xhaka gjunjëzon Serbinë!