Gjyqtarja e Apelit në Vlorë, Brikena Ukperaj Lubonja, e ka kaluar Vetingun dhe është rikonfirmuar në detyrë. Vendimi sapo u dha nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në një sallë ku ishin të pranishëm edhe denoncues të saj. Por ndonëse u la të kuptohej se gjyqtarja i ka kaluar pa probleme tre filtrat e rivlerësimit, një duzinë kallëzimesh-më i fundit i mbërritur vetëm një ditë para seancës dëgjimore, e mbajnë ende pezull vendimin për të.
Trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Valbona Sanxhaktari deklaroi se gjyqtarja Ukperaj i është nënshtruar hetimit administrativ për të tria kriteret e rivlerësimit. Ajo iu nënshtrua listës prioritare të vetingut për shkak se është kandidate për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Relatorja e çështjes, Çiftja lexoi në seancë se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI ka vlerësuar se gjyqtarja e Apelit ka bërë deklarime të sakta dhe ka burime të mjaftueshme financiare për pasurinë e saj familjare, e cila përbëhet nga një apartament në Selitë me sipërfaqe 106 metra katrorë, i blerë për 44 mijë e 877 euro si dhe një automjet “Mercedez Benz”.
Hetimi administrativ ka marrë në shqyrtim edhe pasurinë e personave të lidhur, për të cilat u vlerësua se gjyqtarja Ukperaj ka dorëzuar dokumentacion dhe shpjegime të mjaftueshme.
Raportet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë vlerësuan gjithashtu “përshtatshmërinë” e gjyqtares Ukperaj sa i përket pastërtisë së figurës si dhe aftësinë profesionale.
Por KPK është ndalur edhe në 11 denoncime nga qytetarët në adresë të gjyqtares Ukperaj, ku rasti më i fundit, sipas relatores së çështjes ishte depozituar ditën e enjte dhe ishte ende në proces shqyrtimi.
“Kemi verifikuar me kujdes të gjitha denoncimet e ardhura në adresë të subjektit dhe verifikimet kanë treguar se çështjet janë të tilla që mund të zgjidhen në rrugë gjyqësore”, tha Çiftja, e cila shtoi më tej se po shqyrtohet edhe denoncimi i fundit.
E vënë në pozitë nga lista e gjatë e denoncimeve nga qytetarët, gjyqtarja Brikena Ukperaj (Lubonja) i lidhi ato me kompleksitetin e çështjeve që shqyrtohen në Gjykatën e Apelit, ku punonte prej më pak se dy vitesh.
“Unë besoj se bëj pjesë në atë pjesë të shëndoshë të sistemit të drejtësisë. Unë besoj te ky proces, besoj se gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm do të motivohen nga ky process,” tha Ukperaj, e cila kërkoi më pas rikonfirmimin në detyrë.
Konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lanë megjithatë të pakënaqur denoncues të gjyqtares, të cilët ndodheshin në sallë për të ndjekur nga afër procesin.