Lionel Messi ka dhënë sinjalin e parë të reagimit dhe dëshirës për të mos u dorëzuar, duke i qëndruar besnik fiksimit të tij për fitimin e trofeut të “Kupës së Botës”. Në 31-vjetorin e tij të lindjes, ai ka konfirmuar se nuk do të tërhiqet deri sa të realizojë ëndrrën e tij, të dërgojë Kupën e Botës në Argjentinë. Një sinjal ky pozitiv për të gjithë Argjentinën dhe mbështetësit e saj pas asaj disfate tronditëse 3-0 përballë Kroacisë, që ka zbehur shpresat për një kualifikim të mundshëm të bardhekaltërve për në fazën tjetër.
Tashmë, me një pikë në dy ndeshje, Argjentina duhet të fitojë me çdo kusht përballjen e fundit me Nigerinë, për të patur shanse në avancim. Sipas “Mirror”, Messi deklaroi: “Nënkupton shumë, sepse për Argjentinë, Kupa e Botës është shumë speciale, gjithashtu edhe për mua. Kam ëndërruar gjithmonë veten duke ngritur Kupën e Botës. Pastaj të shohësh emocionin që ikën bashkë me atë. Më ngjethet mishi vetëm kur e mendoj atë moment. Do të lumturonte miliona argjentinas në të gjithë botën. Prandaj nuk mund të heqim dorë nga kjo ëndërr. Unë kam fituar të gjitha kompeticionet e rëndësishme por mbetem ambicioz deri në fund. Nuk do të doja të tërhiqesha nga futbolli aktiv pa qenë kampion bote me kombin tim”.
Në konferencën e sotme për shtyp, para medias ishin presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Claudio Tapia dhe lojtari veteran Javier Mascherano, që janë përpjekur të tregohen të qeshur, të qetë dhe të mos tregojnë para mediave nervozizmin e ditëve të fundit. Argjentina rrezikon eliminimin nga Kupa e Botës “Rusi 2018”, teksa një barazim dhe një humbje janë konsideruar një dështim për kombëtaren e trajnerit Jorge Sampaoli. Por presidenti Tapia ka ngritur gishtin dhe ka akuzuar pikërisht mediat, që sipas tij kanë shpikur gjithçka për sa i përket revoltës së lojtarëve karshi trajnerit.
“Shumë gjëra nga ato që keni shkruar nuk janë të vërteta. Sot patë lojtarët e trajnerin që të stërviteshin së bashku. Fati na ka dhënë edhe një shans të fundit dhe do ta shfrytëzojmë. Do të fitojmë për tifozët tanë, që nuk e kanë dëmtuar imazhin e kombëtares, ashtu siç kanë bërë gazetarët”, thotë Tapia, që nga ana tjetër pranon që ka patur një mbledhje, ku nuk kanë munguar tonet e larta.
“Ju po hidhni shumë dyshime dhe nuk po transmetoni të vërtetën. Sot ëhstë koha që të gjithë të tregohemi të bashkuar rreth kombëtares”, tha më tej Tapia, duke iu drejtuar mediave të pranishme në konferencën e shtypit. Ndërsa Mascherano tha: “Nëse jemi në këtë situatë është se kemi bërë shumë gabime dhe e gjithë kjo situatë e krijuar na dëmton. Kemi patur një takim me trajnerin, por ajo ka qenë për të dhënë mendimin tonë. Me Sampaoli marrëdhënia është normale”.