Prokurorja e skandalit të pastrimit të parave në “Panama Papers” do hetojë dosjen e 3.5 milionë eurove të Toyotës

Hetimi për organizatorët e trafikut të 3.4 milion eurove në bordin e Toyota Auris, i zbuluar në fundjavë në Portin e Durrësit, i është lënë në dorë prokurores Ornela Rrumbullaku, pjesë e strukturës “Forca e Ligjit” në Prokurorinë e Durrësit.
Ornela Rrumbullaku, është komanduar pak muaj më parë në strukturën hetimore të qytetit bregdetar me firmën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Me një karrierë aspak të spikatur, prokurorja Rrumbullaku u bë e njohur së fundmi për shkak të lidhjeve të saj me Partinë Socialiste, si edhe një prej qytetarëve shqiptarë të përfshirë në skandalin financiar ndërkombëtar, “Panama Papers”.
“Boldneës.al” ka raportuar më parë se bashkëshorti i saj, biznesmeni, Alban Mësonjësi, është ortak me Adriatik Selamin, vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami, i cili humbi mandatin për shkak të ligjit të “Dekriminalizimit”.
Shkëlqim Selami u zgjodh deputet me siglën e LSI, por më pas u shkëput prej saj, duke iu bashkëngjitur Partisë Socialiste në Parlament. Në kohën e këtij kapërcimi politik, ai humbi edhe mandatin, për shkak të të kaluarës së tij problematike me ligjin.
Ortaku i bashkëshortit së prokurores Rrumbullaku, Adriatik Selami, ka pasur në vijimësi marrëdhënieve ortakërie me të tjerë eksponentë pranë Partisë Socialiste.
Biznesmeni Selami ka qenë ortak me një tjetër deputet të shkarkuar, Mark Frroku, si edhe me disa persona të tjerë, të konsideruar lidhje e afërt me Saimir Tahirin.
Pra, prokurorja Ornela Rrumbullaku, nëpërmjet bashkëshortit të saj, rezulton të jetë e afërt me disa eksponentë të rëndësishëm pranë partisë në pushtet.
Por, të dhënat e publikuara së fundmi në media kanë ngritur dyshimet se ajo, si bashkëpronare në pasurinë familjare me bashkëshortin e saj, rezulton e përfshirë në disa skema pastrimi parash, deri në nivelin e “Panama Papers.
Alban Mësonjësi, bashkëshorti i prokurores që ka nisur hetimin për operacionin “Toyota” rezulton administratori dhe aksioneri kryesor në dy kompani bastesh, të cilat, me shumë mundësi, janë fiktive.
“Timbast” dhe “24Bast” janë dy kompani të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në vitin 2015.

Në këto dy kompani, biznesmenit Mësonjësi i janë bashkuar edhe 4 kompani të huaja, të regjistruara në “parajsat fiskale”, dy nga Panamaja dhe dy nga Qipro.
Dy kompanitë e basteve, me administrator Alban Mësonjësin, kanë deklaruar në total një kapital fillestar rreth 1 milionë euro. Kompanitë ortake të tij nga “parajsat fiskale” kanë depozituar në llogarinë e kompanisë, pra të administratorit, shumën prej 225 mijë euro, me shënimin “për kapital fillestar”.
Nga një investigim mediatik, rezultoi se 4 kompanitë e huaja, të përfshira në raporte ortakërie me bashkëshortin e prokurores Rrumbullaku, rezultojnë të gjitha të përfshira në skandalin financiar “Panama Papers”.
Vetëm një vit pas krijimit të “Timbast” dhe “24Bast”, administratori Alban Mësonjësi jep dorëheqjen, pasi kishte dorëzuar raportet financiare të tyre.
Në bilancet tregtare të këtyre dy kompanive, rezulton se ato nuk kanë kryer asnjë lloj aktiviteti tregtar. Të gjitha rubrikat e pasqyrës financiare vjetore rezultojnë të plotësuara me “zero”, ç’ka konfirmon se “Timbast” dhe “24Bast” nuk kanë zhvilluar aktivitet ekonomik. Madje, në këto bilance nuk gjenden të pasqyruara as shumat e derdhura për kapital fillestar, të cilat arrijnë në vlerën e 1 milion eurove, sipas dokumentave të dorëzuara në QKR nga vetë administratori.
E gjithë kjo ‘sipërmarrje” krijon dyshimet se është një skemë pastrimi parash, ku është i përfshirë bashkëshorti i prokurores Ornela Rrumbullaku me 4 kompani të huaja, të cilat gjenden në listën e skandalit ndërkombëtar financiar “Panama Papers”. Këto kompani janë krijuar pas martesës Mësonjësi-Rrumbullaku dhe, në bazë të Kodit të Familjes, pasuria e tyre është e përbashkët. Pra, dyshimet për skemë pastrimi parash mbi biznesmenin Mësonjësi bien automatikisht edhe mbi bashkëshorten e tij, Ornela Rrumbullaku.
Tashmë, prokurorja Ornela Rrumbullaku, me afërsitë familjare me Partinë Socialiste dhe me dyshimet mbi shpatulla si e përfshirë në skemë pastrimi parash, do të drejtojë hetimin për zbulimin e personave që kanë organizuar trafikun e 3.5 milionë eurove nëpërmjet automjeteve Toyota Auris, ku, për kryeopozitarin Lulëzim Basha, është i përfshirë edhe kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërZëri i Amerikës: Gjermania kërkon Negociata me kushte për Shqipërinë, Franca dhe Holanda s’duan fare