Përgjimi, si vrasja në Sarajevë

Frrok ÇUPI

Ka një koinçidencë, gati biblike, mes përgjimit që ushtroi policia qeveritare shqiptare dhe milestones (gurëve kilometrikë) në historinë ballkanike të konfliktit. Ky përgjim mund të jetë shkak për një tronditje rajonale të botës.
Njësoj si vrasja e Dukës Franz Ferdinand, nipi i imperatorit Franz Jozef në Sarajevë, 1914. “Që në këtë moment nuk mund të them se jemi në luftë”, deklaroi Kancelari Bismark dhe ashtu ndodhi. Lufta e Parë Botërore shpërtheu për një shkak ballkanik.
Ishte 28 qershori i vitit 1914… Data përkujtimore e Betejës në Kosovë, ku Duka thuhet se po shkonte të merrte pjesë… Duka u vra nga një nacionalist serb dhe Ballkani shkoi në luftë e bashkë me Ballkanin, bota në Luftën e Parë.
Edhe përgjimi i fundit realisht shpërtheu këtu në muajin qershor 2016, para tre ditësh kur u kapën disa zyrtarë të lartë policie dhe po hetohet ministri i Brendshëm. Qershori i ngjarjeve është vetëm koinçidenca e fundit, koinçidenca e formës. Brenda ngjarjeve ballkanike dhe botërore ka një thelb real ku përgjimi mund të shkaktojë përplasje.
1.
Kush përgjon cilin?
Akoma qeveria shqiptare, stoike para krimit të prezumuar, nuk “dorëzohet”. Kur nuk dëshmon se cilin po përgjonte, atëherë i ndez më keq flakët e konfliktit. Para një viti ishte kapur një Kryeministër tjetër ballkanik, po kaq autoritar sa Kryeministri shqiptar, duke përgjuar. Bota rreth Gruevskit të Maqedonisë qe e duruar dhe e mençur; e këshilloi të pranojë se po përgjonte popullin e tij, se po bëhej gati të vidhte zgjedhjet, etj., dhe kaq. Populli, sidomos këta popuj që dalin nga dhuna, nuk shpërthejnë për shkak se i përgjove. Aq më pak po reagojnë njerëzit këtu. Por konflikti ndërshtetëror shpërthen keq për shkak të përgjimit. Qeveria shqiptare po lë të nënkuptohet se është përgjuar më i larti dhe më i ulëti. Duke mos dëshmuar cili u përgjua, do të thotë se “të gjithë u përgjuam”; duke nisur që nga Sarajeva e Banja- Luka, nga Krajina në Bujanovc, nga Rumania me bazat raketore të NATO-s e deri në Moskë e Uashington.
2.
Të gjithë po shikojnë njëri-tjetrin dhe pyesin: “Me kë e ka Shqipëria?”.
E ka me Fuqitë e Mëdha?…
Pa Fuqitë e Mëdha, Ballkani nuk do të kishte paqe. Sa herë është provuar largimi i Fuqive të Mëdha, aq herë e më shumë ka shpërthyer konflikti ballkanik që ka ndezur botën. Aktualisht Ballkani është i kërcënuar nga konflikti; nga konflikti ndëretnik, nga konflikti i ndarjeve të reja, nga konflikti me elitat e korruptuara.
Prezenca në Ballkan e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe Rusisë, përbën një realitet. Atëherë, cila nga superfuqitë është përgjuar prej qeverisë shqiptare?
Mund të dyshojë Rusia. Rusia po mbështet një ndarje të re të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, që mund të krijojë zinxhirin e ndarjeve ballkanike. Por po mbështet edhe Kryeministrin Doddin, i cili prezumohet se përfshihet në krimin e pastrimit të parave. Pse e përgjon qeveria shqiptare? Në favor të Uashingtonit apo pse është bashkëpunëtore me pastruesin e parave? Apo qeveria shqiptare ka gjetur ortakë në trafikimin e drogës?
Qeveria nuk po flet dhe kushdo mund të vërë gishtin kudo.
3.
Me kë e ka Shqipëria? E ka me “eksplozionin” shqiptar?
Shqiptarët në Ballkan përsëri ndodhen para rrezikut. Rreziku në Maqedoni, ku shqiptarët kanë humbur besimin te liderët e tyre dhe po kërkojnë federalizëm. Në qoftë se ndodh kjo, atëherë nuk ka më Maqedoni. Vallë Tirana po përgjon për të nxitur procesin? Atëherë pse nuk flet!?
Shqiptarët rrezikohen në Prishtinë. Serbët e Prishtinës kohët e fundit kanë fituar një lloj autonomie; mirëpo nacionalistët dhe politikanët përdorues të nacionalizmit nuk e pranojnë. Në Prishtinë kanë reaguar ashpër, deri në rrethimin e Parlamentit. Sikur të mos ndalet kjo, atëherë Kosova vihet në rrezikun e ndarjeve të reja, që krijon zinxhir ndarjesh në rajon. A mos vallë qeveria e Tiranës ka futur duart në këtë proces dhe po përgjon?… Përderisa nuk po tregon ku e ka lidhur të keqen, mund të prezumohet si e përzierë…
Shqiptarët në Malin e Zi nuk jetojnë të qetë. Rusia ka shtrirë ndikimin deri në këtë Republikë, kandidate për në BE dhe ka krijuar një klimë “nën sqetull” ndaj Serbisë. Në momentin që diçka shpërthyese do të ndodhë në rajon, Mali i Zi është me Serbinë. Po shqiptarët, që mbështetën pavarësinë, çfarë do të bëjnë? Nuk ka nevojë për përgjigje… Për përgjigje ka nevojë veç prej qeverisë së Tiranës që të tregojë cilin po përgjon. Mos vallë i ka duart në konfliktin e Malit të Zi?!
Qeveria pritet të flasë, para 28 qershorit të Franz Ferdinandit, sigurisht.
4.
Po përgjohen rrugët e migrimit të sirianëve apo migruesit shqiptarë që po lënë vendin e tyre? Nga rajoni i Ballkanit po largohen njerëz më shumë se kurrë në gjithë historinë. Nga Shqipëria, gjithashtu. Shqipëria zë vendin e parë pas Sirisë. Analizat perëndimore po dëshmojnë se ballkanasit po i lënë vendet e tyre për arsye se ndjejnë rrezikun e konfliktit.
Të larguarit nga vendi i tyre përbëjnë një rrezik të dyfishtë: E para, për qeveritë vendëse nga ku janë larguar dhe e dyta, për vendet ku emigrantët kërkojnë strehim. Vallë, në favor të cilës prej të dyjave përgjon qeveria shqiptare? Ka në mendje zonjën Merkel, zotin Bashar al-Assad apo zotin Edi Rama. Të dytët po i përzënë njerëzit, ndërsa Gjermania i pret. Tirana po bën gati dosjen për secilin, edhe për ata që mund të jenë kontigjent terrorizmi?!
Atëherë duhet treguar cilët po përgjohen. Bota ka të drejtë të tronditet nga përgjimi në Tiranë.
Aq më tepër Fuqitë e Mëdha. Këto po vështrojnë njëra-tjetrën në sy, për të kuptuar cila është e lidhur me Tiranën.
Ngjashmërisht me qershorin e vitit 1914. Por me një ngjashmëri të frikshme. Edhe në vend të Austrisë që humbi Dukën, mesa duket është vendosur Italia. Kjo e kishte mjetin e përgjimit që e solli në rrugë diplomatike, kjo u “tërhoq” në heshtje bashkë me qeverinë shqiptare, kjo po pret si do të shpërthejë akti i saj në Ballkan.
Ballkani është përsëri shpërthyes. Qeveria shqiptare po bën lojën e keqe.

Artikulli paraprakÇekiçi i drejtësisë që godet krimin, tmerri i Ramës
Artikulli tjetërPolicët vrasës sulmuan familjen Çapja në Elbasan