Gjendja e Edinson Cavani, ndëshkuesi i Portugalisë së Cristiano Ronaldo në 1/8-at, shqetëson Uruguain. “Shpresoj të rikuperoj, ka thënë El Matador, dhe do të bëj gjithçka është e mundur për të qenë gati kundër Francës”.
Gjatë daljes nga stadiumi, në përfundim të ndeshjes me portugezët, sulmuesi i PSG ka shkuar drejt autobusit të kombëtares duke çaluar.
Në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave, burime afër kombëtares amerikanojugore kanë folur për një dëmtim muskulor në pulpë dhe nëse kjo diagnozë do të konfirmohet, prania e tij në ndeshjen kundër Francës do të ishte e pamundur.
Ikona Tabarez!
Në këtë muaj të emocioneve të pafundme të tifozëve dhe futbollit të pasionuar, Oscar Tabarez është ikona. Ai është personazhi i emisioneve televizive në mbarë botën, jo vetëm për moshën e madhe, por edhe si një shfaqje e apoteozës së shëndetit. Publiku është i çmendur nga shembulli që po jep në Botërorin e Rusisë.
Ronaldo dhe Messi ikën pa lënë shumë gjurmë nga ky turne, që ka eklipsuar të gjitha zhvillimet e tjera në glob. Në vend të tyre, Oscar Washington Tabarez është referenca e domosdoshme në këtë Botëror të bukurisë mahnitëse. Është prekja poetike brenda një proze, që e përjetojnë miliona njerëz çdo ditë, edhe përtej atdheut të 71-vjeçarit.
Parimisht, çdo lojë e Botërorit është një roman në vetvete dhe çdo roman ka paradën e aktorëve të fushës së blertë, duke përfshirë edhe shëndetin e dëshirat, jermin emocional dhe motorik të turmës së tifozëve. Në mes të gjithçkaje po ndodh në “Rusia 2018”, përtej zhvillimeve sportive në fushë, festës, gëzimit, kërcimit, përçartjes, bërtitmave, të qeshurës dhe të qarës së tifozëve, është një zotëri i moshuar, melankolik, por jo i trishtuar, që lëviz me vështirësi, me ndihmën e patericës së të tij.
Figura e tij do është shumë patetike dhe sigurisht do të mbetet gjatë në mendjet e kësaj bote euforike. “El Maestro” nga Montevideo, kështu e quajnë atë, 71 vjeç, trajnerit më i vjetër në Botërorin e kësaj vere, vuan prej kohësh nga një sëmundje e rrallë degjenerative, që ndikon në sistemin nervor dhe çon përfundimisht në paralizë totale. Oscar e di këtë dhe ka zgjedhur të mos ia dijë…
Tabarez është brenda një shfaqjeje të madhe sportive si kjo në Rusi, apoteoza e shëndetit. Paradoksi i një lideri të çalë, që drejton si strateg i vërtetë një numër të konsiderueshëm milionerësh në kombëtare, përveçse futbollistë me mjaft emër. Ai është e kundërta e Sampaolit. Edhe kur është i çoroditur në stol, ai mbahet aty, i detyruar nga “bisha që po bën kërdinë”, Uruguaji i tij.
Një gjigant sportiv kundër një situate peripatetike shëndetësore. Më shumë se patetike. Sampaoli i pafrymë dhe që nuk e zë vendi shkon lart e poshtë, në zonën e tij të stolit, duke dashur të shfaqet tejet i pasionuar, por pa bereqet. Argjentina e tij ishte një stonaturë totale. Në antitezë me të qëndron Oscar Tabarez, si një figurë përtej sportives, heroike, sepse ai zgjodhi të vazhdojë të bëjë punën e tij, pavarësisht nga sëmundja.
“El Maestro” nuk kishte zgjedhje. Sepse ai e di se “Celeste” është droga e tij. Sepse, jetesa e tij nuk është e mundur pa një ilaç si futbolli, që e ndihmon atë të zhvendosë realitetin, kur realiteti është një sëmundje shumë e keqe. Ai e di se nuk ka më moshë dhe këmbë për të “vrapuar” pas një gruaje, por prapa Cavanit që shënon, po. Sepse “El Matador” dhe shokët e tij janë shtrirja e lumtur e trupit të tij të sëmurë.
Sepse vetëm në sajë të tyre, ai harron për disa çaste vuajtjet dhe kufizimet fizike nga sëmundja. Paterica që mban nuk është e një njeriu të çalë, por si një shkop magjik, që tregon rrugën e suksesit. Të gjithë e dinë mirë, Godin dhe shokët e tij. Ata janë krenarë që luajnë dhe fitojnë për një komb të tërë dhe për një njeri, këmbët e humbura të të cilit zvarriten përtej të mundurës. Shëndeti dhe rinia e tij kanë humbur, por jo pasioni për futbollin e ngjyrave të kombit të tij.
Ata e kanë quajtur gjithmonë “Maestro”, edhe për këtë. Oscar Tabarez, në këtë muaj të futbollit të çmendur dhe të pasionuar, është ikona. Ky rast duket si ilaç për zgjidhje të sëmundjeve të botës, kur një grup i luftëtarëve të rinj dhe një njeri i sëmurë i vjetër, i bashkojnë forcat e tyre për të sjellë lumturi për veten e tyre dhe të një kombi të tërë. Dhe tani, edhe për miliona tifozë të tjerë, pa një pasaportë uruguajane….