Nishani për Drejtësinë: Mos u tërhiqni nga kërcënimet

Në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dënon presionet e qeverisë ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili dha vendimin për pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako për çështjen e pajisjes së përgjimit. “Sulmet politike, ofendimet, deri dhe shantazhi nga ana e njerëzve në pushtet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është i papranueshëm. Dëmton rëndë procesin e hetimit. Unë gjej rastin të inkurajoj prokurorët e vendit që të hetojnë me paanshmëri dhe në pavarësi të plotë dhe në asnjë lloj ndikimi ndaj sulmeve që u vijnë. Sulme të padenja, të papranueshme. Prokurorët dhe gjyqtarët çdo ditë, në punën e tyre, në aktivitetin e tyre, hetojnë, gjykojnë dhe dënojnë keqbërës. Ata ndeshen shpesh me kërcënime apo akuza nga këto keqbërës që hetojnë apo dënojnë. Gjyqtarët dhe prokurorët me integritet, me dinjitet, të mos tundohen dhe të mos përkulen nga goditje që u vijnë për interesa politike, nga presione që u vijnë për interesa të individëve të caktuar”. Kreu i shtetit kërkon që institucionet ligjzbatuese të lejohen të kryejnë detyrat e tyre kushtetuese. “Prokuroria po heton mbi këtë çështje. Është një çështje, e cila u duhet lënë tërësisht institucioneve të specializuara të hetimit, të shtetit shqiptar për të zbuluar të vërtetën e kësaj çështje, e cila në fakt përbën një çështje me shumë ndjeshmëri, shkon në kufijtë e verifikimit nëse ka patur rrezikshmëri dhe ndikim në sigurinë kombëtare tek institucionet kushtetuese të vendit”. Pak javë më parë, Presidenti e konsideroi ekzistencën dhe përdorimin e pajisjes së dyshuar përgjuese, si kërcënim të sigurisë kombëtare.

Artikulli paraprakArat e Edvin Shullazit dhe Saje qorrit në Fier
Artikulli tjetërFormula për kapjen e drejtësisë dhe loja me 2/3 e kreut të qeverisë