Stacioni televiziv gjerman, ARD, që i pari hodhi dritë në skandalin e gjerë të dopingut në Rusi, thotë se ministri i sportit i këtij vendi, Vitaly Mutko, ishte drejtpërdrejt i përfshirë në fshehjen e mashtrimit dhe evitimin e dënimeve.
Gjatë paraqitjes së raportit në televizionin ARD, moderatori i programit tha:
“Sportistët më të mirë të Rusisë po përgatiten për Olimpiadë. Por ende është pikëpyetje nëse ekipi rus do të lejohet të marrë pjesë në Rio de-Zhanejro në muajin gusht. Ekipi hetues i ARD-së ka siguruar dokumente të papublikuara që indikojnë për involvim direkt të qeverisë ruse në fshehjen e dopingut. Personi për të cilin bëhet fjalë është ministri rus i sportit, i cili i ka hedhur poshtë akuzat”, tha moderatori i programit në televizionin ARD.
Këto akuza u bënë derisa IAAF, Federata e Asociacioneve Ndërkombëtare të Atletikës, përgatitet që më 17 qershor të vendos nëse atletëve rusë do t’u ndalohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, që mbahen në muajin gusht të këtij viti, në Rio de-Zhanejro të Brazilit.
Mutko akuzohet për fshehje të testeve pozitive
Në programin dokumentar për dopingun e sportistëve të Rusisë, ministri Mutko akuzohet për parandalimin që informacioni për dështimin e testit të drogës nga një futbollist i njohur rus të bëhet publik dhe për lejimin e disa trajnerëve të atletikës, të cilët nga trupat sportive ishin dënuar për jetë për shkak të involvimit në doping, të vazhdojnë t’i stërvisin atletët e Rusisë.
Rrjeti televiziv, ARD, thotë se ka dokumente që tregojnë se Vitaly Mutko i ka fshehur testet pozitive të drogës dhe video-pamjet e trajnerëve të dënuar që punonin edhe mëtutje.
Vitaly Mutko i ka hedhur poshtë akuzat e paraqitura në televizionin gjerman, ARD.
“Qëllimi i këtij filmi është i qartë: të ndikohet në komitetin e IAAF-së lidhur me kthimin e atletëve të Rusisë para mbajtjes së mbledhjes së tij”, i tha Mutko agjencisë Interfax.
Zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha se qeveria e Rusisë do t’i trajtojë akuzat e ARD-së si “shpifje absolute” derisa dikush të paraqesë “prova gjithpërshirëse të konfirmimit” të akuzave.
Vitaly Mutko është ministër i sportit në Rusi prej vitit 2008, dhe ishte në fokus të dokumentarit të parë investigativ të ARD-së me titull: Sekreti i Dopingut – Si Rusia i krijon kampionët, që ishte transmetuar në dhjetor të vitit 2014, duke i sjellë sportistët rusë dhe zyrtarët e sportit në qendër të vëmendjes.
“Kulturë me rrënjë të thella të mashtrimit”
Presioni ndaj Mutkos është shtuar kur Asociacioni Botëror Kundër Dopingut (WADA), në nëntor të vitit 2015, i ka publikuar rezultatet e hetimit të gjerë me të cilat Rusia akuzohej me përdorim të programit të dopingut sportiv në mënyrë sistematike dhe të përhapur.
Ky raport ka theksuar se Rusia e ka mbajtur “kulturën me rrënjë të thella të mashtrimit”.
Kryesuesi i komisionit hetues të agjencisë WADA, Dick Pound, në atë kohë në një konferencë për shtyp pati thënë se do të ishte e “pamundshme” për Mutkon që të mos ketë pasur njohuri për programin e dopingut në Rusi.
Mutko, që e ka udhëhequr fushatën e suksesshme të Rusisë për organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018, dhe është anëtar i fuqishëm i këshillit të FIFA-s, ka ndikim të madh në sportin e Rusisë me lidhjet e tij ndërkombëtare dhe miqësinë personale me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili i jep rëndësi të jashtëzakonshme që Rusia të ketë profil të fuqishëm ndërkombëtar të sportit.
Raporti i fundit në rrjetin televiziv gjerman, ARD, në të cilin dënohet ministri Mutko dhe dopingu i sportistëve në vendin e tij, u bë në periudhën kur zyrtarët sportivë rusë po ndërmarrin një ofensivë të re joshëse në përpjekjen e fundit që të tërhiqet ndalesa e pjesëmarrjes së atletëve rusë me kohë për lojërat në Rio dhe për ta evituar ndalesën e pjesëmarrjes së federatave të tjera sportive ruse në Lojërat Olimpike.
Moska angazhon kompani perëndimore
Sipas udhëzimeve të firmës perëndimore për marrëdhënie me publikun, Burson Marsteller, zyrtarët sportivë në Moskë kanë bërë kërkime të faljes për shkeljet e kaluara të dopingut dhe kanë shprehur përkushtim për sjellje të mirë në të ardhmen, përfshirë plane për teste të plota të atletëve olimpikë dhe për krijimin e programeve edukuese kundër dopingut në shkolla për ta “reformuar qasjen sociale”.
Një mjegull e dendur vazhdon të qëndrojë pezull mbi sportin e Rusisë, pasi dhjetëra sportistë në shumë disiplina vetëm këtë vit kanë dështuar në testin kundër dopingut. Në këtë aspekt, Rusia aktualisht është e para në botë.
Sportistja e fundit e Rusisë që është dënuar është tenistja e njohur, Maria Sharapova, së cilës më 8 qershor, Federata Ndërkombëtare e Tenisit ia ndaloi pjesëmarrjen në gara për dy vjet, për shkak se ka dështuar në testin për substancën meldonium, në muajin janar në turneun Australian Open.
Po këtë ditë, ministri Vitaly Mutko ka shpallur se, kampioni atletik në hedhje të çekanit, Kirill Ikonnikov, është dënuar përjetë për përdorim të një substance për forcim.
Vetë ish-zyrtarët rusë akuzojnë
Përpjekjet e hershme të Moskës për t’i fajësuar fuqitë e jashtme të paemëruara për sulmin ndaj sportit të Rusisë për shkaqe politike, praktikisht janë vështirësuar për t’i shfrytëzuar aktualisht, për shkak se shumica prej atyre që e akuzojnë Rusinë për lojë të pandershme, janë ish-zyrtarë rusë.
Njëri prej tyre është Grigory Rodchenkov, i cili ka shërbyer si shef i laboratorit për testin e drogës në Rusi deri në raportin e agjencisëW, me ç’rast ai u detyrua të paraqiste dorëheqje në muajin dhjetor. Aktualisht, ai ka paraqitur përshkrime të detajuara se si sportistë rusë kanë përdorë substanca të palejuara dhe si zyrtarët në mënyrë të rrejshme u mundësonin atyre që të mos dështojnë në testet e drogës.
Rodchenko, i cili tash jeton në një lokacion të panjohur në Shtetet e Bashkuara, për shkak të frikës për sigurinë e tij, prej atëherë është nënçmuar dhe diskredituar nga ish-kolegët e tij dhe nga një numër i zyrtarëve të Rusisë.
Por, akuzat e Rodchenkos të mashtrimit të nivelit të lartë me involvimin e agjentëve të shërbimit sekret, vrimave të fshehta në mure dhe përzierje të mostrave të urinës, e kanë shtuar interesimin e shumë personaliteteve ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë presidentin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach, i cili ka premtuar hetime të të gjitha akuzave dhe ndërmarrje të masave kundër çdokujt për keqbërje para Lojërave në Rio de-Zhanejro.