Sapo ka përfunduar konferenca për shtyp e trajnerit De Biasi për ndeshjen e parë të Shqipërisë ndaj Zvicrës në Kampionatin Europian. Nuk mungon optimizmi te trajneri italian, i cili nuk e shikon si një derbi ndeshjen me Zvicrën. “Jam shumë krenar që kam një grup lojtarësh që na dhuroi finalet e Europianit, pas një grupi kualifikues ku edhe më optimisti mendonte për vendin e katërt. Por, nuk u dorëzuam asnjëherë, besuam shumë edhe sepse fituam ndeshjen e parë në Portugali, kundër ekipit lider në grup dhe kjo na dha besim. Në këto 4 vjet e gjysmë, ekipi është rritur në mënyrë konstante edhe falë afrimeve të lojtarëve të rinj që luajnë në Gjermani, Itali. Presion nuk kam. Kam pritshmëri të mëdha. Shpresoj që në këtë turne djemtë do të japin më të mirën dhe mos të kënaqen. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0, duhet t’i luajmë me përqendrimin e duhur dhe me bindje”, u shpreh De Biasi.
Besoj që është thelbësore që kundërshtarin ta njohësh. Ai të jep mundësi t’i kuptosh strategjitë, për të gjetur mënyrën që ta përballosh dhe të shfrytëzosh edhe defektet më të vogla gjatë ndeshjes. Ndonjëherë kjo nuk mjafton, por njohja e kundërshtarit të ndihmon drejt suksesit, ashtu si të ndihmon edhe njohja e limiteve të skuadrës tonë, që të jetë e mirë organizuar dhe të bëjë atë që di të bëjë.
Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. Eshtë sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë, në mënyrë që të krijojmë besim pas thuajse 20 ditëve grumbullim. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për t’i kuptuar në mënyrën e duhur.
Taulanti do të luajë? Taulanti ishte i dëmtuar me Baselin, koha kaloi dhe u rikuperua, duke u stërvitur normalisht me ekipin. Ai është në formë shumë të mirë fizike dhe psikologjike, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit. Jemi gati për të debutuar dhe duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Videoja e Cantona? Jam shumë sinqerisht. E dëgjova këtë video dhe mendoj se merr shembuj nga ato që kanë ndodhur së fundmi. Gjërat e pazakonta ndodhin në futboll dhe pse rallë. Ishte viti i arritjeve të mëdha si Leicester, jo vetëm vlerat teknike, por dëshira?
Ajo të ndihmon që të kesh më tepër motivim, dëshirë për të fituar dhe rezultate. Por, kur arrin në majë të piramidës vlerat teknike mund të bëjnë diferencën. Lojtarët e mëdhenj mund të vendosin ndeshjet, të cilat në këto nivele janë në ekuilibra shumë të brishtë. Për ne, uroj që kjo të mos ndodhë, mbi të gjitha kur të përballemi me lojtarë me shumë kualitet.
Ai është një lojtar me shumë kualitet dhe që në çdo moment mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Një lojtar që e njohim mirë, i njohim vlerat dhe gjithçka që ka Shaqiri. Do të jetë një ndër lojtarët nga të cilët do të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjes.
Nuk është një derbi, sepse jemi larg nga pikëpamja gjeografike. Eshtë afrimiteti, sepse shumë emigrantë të luftës u pritën nga Zvicra, që i dha mundësi sociale dhe që të ndërtonin një jetë. Ky është kontakti i vetëm, por mentaliteti është krejt i ndryshëm: zviceranët janë zviceranë, ndërsa shqiptarët janë shqiptarë. Dy skuadrat do të përballen me respekt dhe në fund shpresoj që të arrijmë rezultat pozitiv.
Nuk e di, trajneri italian është italian, me të gjithë manitë dhe taktikat e tyre. Gjithsesi zviceranët janë të saktë në gjithçka bëjnë dhe ky është aspekti strikt i tyre. Ne shqiptarët qëndrojmë edhe një orë e gjysmë, duke pirë kafe. Te kjo kemi punuar, por nuk mund të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve, pasi do të ishte luftë kundër mullinjve të erës.