Agim Hysi, pavarësisht se i shkarkuar si gjyqtar është emëruar Avokat Shteti në nivel qendror në kundërshtim me ligjin. Jo vetëm nuk ka kaluar provat e testimeve dhe trajnimeve, por nuk përmbush as kriteret formale për t’u pranuar si kandidaturë që futet në garë, pasi sipas Ligjit “Për Avokaturën e Shtetit” një nga kushtet është: “të mos jesh i dënuar apo larguar nga çdo funksion publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave” (neni 20, pika 1/c kushtet për t’u emëruar ‘Avokat Shteti’”. Gjithashtu, nuk duhet të jetë i angazhuar politikisht. A. Hysi është i angazhuar dhe politikisht tek PS, biles nivele të larta.
Në Komision të Ligjeve, ligji i pronave është mbrojtur nga Avokati i Shtetit që përfaqëson në STRX.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi shkarkimin nga detyra të Agim Hysit për kryerje të veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në gjykimin e disa çështjeve penale dhe për shkelje të etikës gjyqësore. Hysi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit shpalli kërkesën e tij të pambështetur.
Vendimi i Kushtetueses
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi.
Kërkuesi Agim Hysi ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ai ka qenë në një trup gjykues me gjyqtarët M.Mishgjoni dhe A.Fega kur ndaj tyre filloi procedimi disiplinor në vitin 2002.
Me vendimin nr. 127, datë 27.05.2002, Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ka vendosur shkarkimin nga detyra të kërkuesit për kryerje të veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në gjykimin e disa çështjeve penale dhe për shkelje të etikës gjyqësore. Ky vendim është bërë objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë (KBGJL), të cilat, me vendimin nr. 88, datë 18.11.2002 (nr. 88/2002), kanë vendosur mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi.
Kërkuesi i është drejtuar dy herë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 127, datë 27.05.2002 të KLD-së dhe vendimit nr. 88, datë 18.11.2002 të KBGJL-ve. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), me vendimet nr. 125, datë 14.07.2003 dhe nr. 69, datë 26.04.2005, ka vendosur në të dyja rastet moskalimin për shqyrtim në seancë plenare, me arsyetimin se mungojnë shkaqet për kalimin e çështjes për shqyrtim gjyqësor për proces të parregullt ligjor, në kuptim të neneve 42 e 131 të Kushtetutës.
GJEDNJ-ja mbi aplikimin nr. 38349/05 të kërkuesit e ka shpallur kërkesën të papranueshme, duke e konsideruar të depozituar jashtë afatit.
Kërkuesi i është drejtuar sërish Gjykatës së Lartë, duke kërkuar rishikimin e vendimit nr. 88/2002 të KBGJL-së mbi bazën e nenit 494/e të KPC-së. Sipas tij, ky vendim binte ndesh me vendimin nr. 6, datë 06.02.2009 të KBGJL-së (nr. 6/2009), i cili kishte shfuqizuar vendimin e KLD-së për shkarkimin e gjyqtares M.Mishgjoni, si dhe me vendimin e GJEDNJ-së në çështjen Mishgjoni kundër Shqipërisë (2010), në të cilin janë gjetur shkelje të KEDNJ-së. Këto vendime të dhëna ndaj M.Mishgjonit kërkuesi i ka vlerësuar si shkak për rishikim, pasi sipas tij ai gjendet në të njëjtat rrethana faktike dhe është shkarkuar për të njëjtat shkaqe ligjore si gjyqtarja Mishgjoni. Me vendimin nr. 1, datë 17.06.2013, KBGJL-të kanë vendosur mospranimin e kërkesës për rishikim të paraqitur nga kërkuesi.
Kërkuesi ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata), duke pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një proces i parregullt ligjor në Gjykatën e Lartë.
Vlerësimi i Kolegjit dhe rrëzimi i argumentave të Hysit
Kolegji vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae në lidhje me pretendimet e tij, të cilat i ka paraqitur në kërkesë, në kuptim të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, si dhe ratione temporis, pasi kërkesa është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit të parashikuar nga neni 30 i Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Në lidhje me legjitimimin ratione materiae, vërehet se pretendimet e kërkuesit në pamje të parë lidhen me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Në vijim, Kolegji merr në analizë këto pretendime:
A. Për pretendimin e cenimit të parimit të sigurisë juridike
Kërkuesi ka pretenduar se është cenuar parimi i sigurisë juridike, pasi vendimi i kundërshtuar bie ndesh me vendimin nr. 6/2009 të KBGJL-ve dhe vendimin e GJEDNJ-së në çështjen Mishgjoni kundër Shqipërisë (2010). Sipas kërkuesit, ai është shkarkuar nga KLD-ja për të njëjtat shkaqe dhe rrethana si gjyqtarja Mishgjoni, por vendimet e dhëna ndaj saj, të aplikueshme edhe në çështjen ndaj tij, nuk janë marrë parasysh nga GJL-ja për rishikimin e vendimit të formës së prerë nr. 88/2002. Ai ka parashtruar se vendimi nr. 6/2009 dhënë ndaj gjyqtares Mishgjoni dhe vendimi nr. 88/2002 dhënë ndaj tij kanë vlerësuar të njëjtën rrethanë fakti dhe të njëjtat shkelje. Shkaku i procedimit administrativ në KLD, subjektet e përfshira në këtë procedim, si dhe vendimet e marra në përfundim tëtij janë bërë objekt i të njëjtit shqyrtim gjyqësor.
Gjykata ka theksuar se siguria juridike është ndër elementet thelbësore të shtetit të së drejtës. Parimi i shtetit të së drejtës, ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike. Parimi i sigurisë juridike përfshin, krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ, edhe besimin te sistemi juridik (shih vendimet nr. 25, datë 28.04.2014; nr. 20, datë 11.07.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
Në jurisprudencën e saj gjykata është shprehur se në harmoni me parimin e sigurisë juridike, ligji procedural civil ka sanksionuar edhe parimin e gjësë së gjykuar (resjudicata), parim i cili pengon dhënien e çdo vendimi të ri mbi atë që është gjykuar. Cenimi i parimit të gjësë së gjykuar do të çonte në cenim të vetë sigurisë juridike. Siguria juridike nënkupton, ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë së individit te shteti, institucionet e tij dhe tek aktet që ato nxjerrin. Ndërsa, në rastin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, siguria juridike nënkupton që, kur gjykata ka vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi i saj nuk mund të vihet në diskutim (shih vendimin nr. 32, datë 25.05.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
Për parimin e sigurisë juridike të lidhur me parimin e gjësë së gjykuar, GJEDNJ-ja në çështjen Ryabykh kundër Rusisë (2003; §52) është shprehur: “Siguria juridike nënkupton respektimin e parimit të gjësë së gjykuar. Asnjë palë nuk ka të drejtë të kërkojë rigjykimin e një çështjeje që është zgjidhur me vendim përfundimtar të formës së prerë thjesht për të pasur një rigjykim dhe një zgjidhje të re të çështjes. Kompetenca e rishikimit nga gjykatat e larta duhet të ushtrohet për të korrigjuar gabime gjyqësore (judicial errors) dhe keqadministrimin e drejtësisë (miscarriages of justice), por jo për të rishqyrtuar rishtazi çështjen. Rishikimi nuk duhet të trajtohet si një apelim i fshehur/maskuar dhe mundësia e të pasurit të dy qëndrimeve mbi çështjen nuk përbën shkak për rishqyrtim. Shmangia nga ky parim justifikohet vetëm kur është e nevojshme nga rrethana me karakter substancial dhe detyrues” (shih gjithashtu çështjen Bulgakova kundër Rusisë, 2007, §52).
Vendimi i KLD për shkarkimin e gjyqtarit mbeti në fuqi
Në çështjen konkrete, kërkuesi në thelb pretendon se vendimet e dhëna ndaj gjyqtares Mishgjoni (nr. 6/2009i KBGJL-ve dhe nr. 18381/05, 7 dhjetor 2010 i GJEDNJ-së) përbëjnë shkak për rishikimin e vendimit të shkarkimit të dhënë ndaj tij. Sipas tij, KBGJL-të, mbi bazën e këtyre vendimeve, duhej të rishikonin vendimin e formës së prerë që ka shkarkuar kërkuesin nga pozicioni i tij si gjyqtar.
Nga rrethanat faktike rezulton se gjyqtarja Mishgjoni i është nënshtruar procedimit disiplinor në të njëjtën periudhë kohore si kërkuesi, duke qenë në të njëjtin trup gjykues me të. KLD-ja, me vendimin nr. 130, datë 15.07.2002, ka vendosur shkarkimin e kësaj gjyqtareje nga detyra. Mbi ankimin e gjyqtares KBGJL-të, me vendimin nr. 83, datë 18.11.2002, kanë vendosur mospranimin e kërkesës ankimore. Të dyja këto vendime janë shfuqizuar me vendimin nr. 17, datë 12.11.2004 të Gjykatës Kushtetuese, e cila konkludoi se procesi disiplinor ndaj gjyqtares Mishgjoni ishte i parregullt dhe për pasojë çështja iu rikthye KLD-së për rishqyrtim.
KLD-ja, me vendimin nr. 235/7, datë 24.10.2008 (4 vjet pas shpalljes së vendimit të GJK-së), ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren M.Mishgjoni me motivacionin “…për sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, që cenojnë prestigjin dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor dhe për paaftësi profesionale”. Në arsyetimin e këtij vendimi përshkruhet se ajo ka vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në dhënien e disa vendimeve penale. Ky vendim i KLD-së për shkarkimin e gjyqtares është shfuqizuar nga vendimi nr. 6/2009 i KBGJL-ve, vendim të cilit i referohet edhe kërkuesi. Në këtë vendim KBGJL-të kanë konstatuar se procedura e lidhur me masën disiplinore të dhënë ndaj gjyqtares Mishgjoni kishte qenë shumë e gjatë. Për pasojë, KBGJL-të arritën në përfundimin se kjo masë disiplinore ishte e pavlefshme si e marrë tej një afati të arsyeshëm dhe e paefektshme, prandaj vendimi i KLD-së duhej të shfuqizohej.
Pas shfuqizimit të vendimit të KLD-së, më 27 shkurt 2009, M.Mishgjoni u rikthye në punë si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Vlorë. Mbi aplikimin e kësaj gjyqtareje, GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje të neneve 6 dhe 13 të KEDNJ-së, në lidhje me kohëzgjatjen e proceseve të heqjes së saj nga puna dhe mungesën e mjeteve efektive për t’u ankuar ndaj tejzgjatjes së proceseve të heqjes nga puna (aplikimi nr. 18381/05, 7 dhjetor 2010, GJEDNJ). Si vendimi nr. 6/2009 i KBGJL-ve, ashtu edhe vendimi i GJEDNJ-së ndaj gjyqtares Mishgjoni kanë gjetur shkelje procedurale të procesit të heqjes së saj nga puna.
Duke iu rikthyer çështjes konkrete vërehet se edhe kërkuesi, ashtu si gjyqtarja Mishgjoni, është ankuar ndaj vendimeve të KLD-së dhe atyre gjyqësore të dhëna ndaj tij. Kështu kërkuesi është ankuar ndaj vendimit të KLD-së për shkarkimin e tij në Gjykatën e Lartë, e cila me vendimin nr. 88/2002 ka vendosur mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi. Ky vendim i KBGJL-ve dhe vendimi i KLD-së për shkarkimin e kërkuesit janë bërë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka vendosur në të dyja rastet moskalimin për shqyrtim në seancë plenare, me arsyetimin se mungojnë shkaqet për kalimin e çështjes për shqyrtim gjyqësor për proces të parregullt ligjor, në kuptim të neneve 42 e 131 të Kushtetutës (shih vendimet nr. 125, datë 14.07.2003; nr. 69, datë 26.04.2005 të Gjykatës Kushtetuese). Kërkuesi i është drejtuar edhe GJEDNJ-së, e cila mbi aplikimin nr. 38349/05 të kërkuesit e ka shpallur kërkesën të papranueshme, duke e konsideruar të depozituar jashtë afatit.
Nga sa më sipër, Kolegji vlerëson se çështja administrative dhe ajo gjyqësore ndaj kërkuesit kanë ndjekur një rrjedhë procesuale të ndryshme nga ajo e gjyqtares Mishgjoni. Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur shkelje të procesit disiplinor ose procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj kërkuesit, siç ka gjetur në rastin e gjyqtares Mishgjoni. Po kështu, edhe GJEDNJ-ja e ka shpallur kërkesën e tij të papranueshme për shkak të mosrespektimit të afatit të aplikimit.
Kërkuesi e lidh cenimin e sigurisë juridike me mosaplikimin nga KBGJL-të të vendimeve të GJL-së dhe të GJEDNJ-së ndaj gjyqtares Mishgjoni si shkak për të rishikuar vendimin e formës së prerë të dhënë ndaj tij. Kërkesën e tij për rishikim ai e ka bazuar në dy nene: në nenin 494/e të KPC-së, sipas të cilit rishikimi mund të kërkohet kur vendimi është në kundërshtim me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë po midis atyre palëve për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak dhe në nenin 494/ë, sipas të cilit rishikimi mund të kërkohet kur GJEDNJ-ja gjen shkelje të KEDNJ-së dhe protokolleve të saj. Kolegji çmon se ky pretendim i ngritur kërkon një vlerësim për aplikimin e ligjit material nga Gjykata e Lartë në çështjen konkrete. Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar vazhdimisht qëndrimin e saj të konsoliduar se mënyra e vlerësimit të provave dhe mënyra e zbatimit të ligjit material është, si rregull, atribut i gjykatave të zakonshme, ndërsa detyra e Gjykatës Kushtetuese është të sigurojë nëse procesi në tërësinë e tij, përfshirë edhe mënyrën në të cilën janë marrë provat, ka qenë i rregullt. Roli i saj nuk është të rivlerësojë faktet, zbatimin e ligjit material apo zgjidhjen e dhënë nga gjykatat e zakonshme. Kontrolli kushtetues që kjo gjykatë ushtron ndaj vendimeve gjyqësore është i kufizuar vetëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor. Problemet e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit për zgjidhjen e çështjeve konkrete nuk përbëjnë juridiksion kushtetues, nëse ato nuk shoqërohen me cenimin e këtyre të drejtave (shih vendimet nr. 40, datë 25.06.2015; nr. 4, datë 05.02.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
Nisur nga standardet e mësipërme dhe rrethanat e çështjes konkrete, Kolegji vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimit të sigurisë juridike është i pambështetur.
Për këto arsye
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31 të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
Vendosi:
Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.