Edi PALOKA
PD dënon ndërprerjen e paligjshme të raportimit me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme si përpjekje për ti mbyllur gojën opozitës
Deklarata e nënkryetarit të PD, Edi Paloka pas mbylljes së Komisionit të ligjeve ku kryetari Ulsi Manja nuk lejoi deputetët e opozitës të bënin pyetje për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme
Pas gjithë skandaleve, për të cilat jeni bërë dëshmitarë, skandaleve të Ramës, skandaleve të qeverisë dhe ministrave të tij, seanca e sotme me të ashtuquajturën Prokurore të Përkohshme, kishte rëndësi të madhe dhe për këtë arsye ne si deputetë të opozitës ishim pothuajse të gjithë të pranishëm aty. Jo sepse njohim një prokurore, që siç e thamë aty nuk ka asnjë tagër kushtetues për të kryer detyrat e kryeprokurorit, por sepse, pikërisht shpresonim që të paktën “Zonja PPP” të jepte përgjigje për disa nga çështjet më të rëndësishme, skandaleve më të mëdha që kanë plasur gjatë gjithë kësaj kohe.
Siç e ndoqët asnjë prej deputetëve të opozitës nuk mori përgjigje. Siç e tha Klevis Balliu, asaj përveç emrave të tjerë, nga sot mund t’i themi “Zonja nuk e di”, sepse mesa duket ka vajtur aty dhe zbaton vetëm urdhërat dhe porositë që i jep partia dhe asgjë më tepër.
Por ajo që unë dua të denoncoj tani është ajo që ndodhi me komisionin. Fakti që Ulsiu, i cili dihet që ka një lidhje pak më të ngushtë sesa të tjerët me zonjën, duke parë që zonja ishte në vështirësi, bëri një akt, në fakt është një akt i përsëritur i këtij Parlamenti, duke kërkuar t’i mbyllë gojën opozitës edhe njëherë. Mbylli në mënyrë krejtësisht të parregullt komisionin, ndërkohë që ishte në kulmin e pyetjeve të cilat po drejtoheshin nga deputetët e opozitës. Nuk është rasti i parë, këtë e bën Gramoz Ruçi në seancat e tij të Parlamentit. Të njëjtën gjë bëri edhe Ulsi Manja edhe sot, duke mbyllur në mënyrë arbitrare zhvillimin e punimeve të Komisionit të Ligjeve.
Nuk janë bërë pyetjet akoma, nuk janë bërë diskutimet në lidhje me raportin dhe qëndrimin e prokurores dhe absolutisht kjo seancë nuk është e mbyllur. Ata mund të vazhdojnë të veprojnë edhe në këtë rast si në çdo rast tjetër, por të jenë të bindur si këta që e shkelin përditë rregulloren dhe Kushtetutën, si ajo që është vënë aty në shkelje të Kushtetutës, një ditë do të japin llogari. Drejtësia do t’i shpëtojë hallkave që e kanë kapur sot dhe një ditë, po e përsëris, të gjithë këta do të japin llogari para një drejtësie të vërtetë.
Shërbime qeveritare të një sigurimsi si Zaloshnja në media
Sot në Shqipëri qarkullojnë reth 4 deri në 5 miliardë euro para të pista nga aktivitetit e krimit të organizuar dhe të drogës që janë hedhur në qarkullim për tu pastruar.
Ku shkojnë ato? Shumica po pastrohen përmes bankave. Janë të paktën katër banka që sipas raportit zyrtar të Bankës qëndrore dyshohen për pastrim parash. Emrat e tyre ndonëse nuk janë bërë publike mund të kuptohen lehtësisht dhe janë ato përmes të cilave kalojnë llogaritë e familjes kryeministrore.
Aktiviteti tjetër është ai i ndërtimit.
Milionat e dollarëve po vërshojnë si lumë në betonizmin e Tiranës. Kompani ndërtimi pa eksperiencë të krijuara rishtazi kanë hapur gropat e ndërtimeve në çdo cep të kryeqytetit.
Projekti gjigand që është në pritje është ai i qendrës së Tiranës ku organizata kriminale në pushtet ka hedhur rrënjët e saj. Teatri është një prej këtyre projekteve, ndërsa numri i kullave pritet të arrijë deri në 15 përfshi ato 6 të planifikuara tek Teatri.
Ndërtimet e mëdha përmes koncesioneve ku shifrat fryhen në mënyrë artificiale për të futur në qarkullim paratë e krimit janë po ashtu të infektuara në aktivitetin e pastrimit të parave. Sistemi mafioz ka në krye të saj politikën dhe ka qenë dhe Kryeministrin.
Por ashtu sikurse blen votat, blen mediat, sistemi kriminal pastron paratë duke blerë edhe të gjitha instrumentat e tjerë mediatikë që janë në funksion të lavazhit të trurit të shqiptarëve për të paraqitur një realitet krejt të ndryshëm politik, ekonomik dhe demokratik nga që është në të vërtetë.
Një prej këtyre instrumentave është edhe ai i sondazheve të porositura direkt nga kreu i qeverisë dhe që i hapen dyert në televizionet e komanduara për të bërë propagandën e pushtetit. Më i zellshmi në këtë shërbim është Zaloshnja, që punon si një bashkëpunëtor i hershëm i Sigurimit dhe që është thirrur në këto momente të vështira që po kalon Rama.
Detyra e tij është që në çdo rast të përgatisë terrenin për manipulimin e rradhës. Sondazhet e tij janë të porositura direkt nga Rama. Në to do të lexoni shifrat që ka në mendje kreu i qeverisë.
Fillimisht ai i servir përmes Zaloshnjes si sondazhe në mediat pranë qeverisë. Dhe pasi janë shfaqur shifrat e manipuluara nga sigurimsi i “pavarur” në shërbim, pak rëndësi ka debate, rëndësi ka lavazhi i trurit të opinionit publik që të mësohet se e keqja është rruga më e mirë që kanë shqiptarët dhe se ata vetë nuk janë kundër kësaj të keqeje, por se e legjitimojnë atë. Kështu ka ndodhur edhe në zgjedhje e fundit. Zaloshnja dha shifrat që kishte porositur Rama dhe ato i shërbyen manipulimit gjigand përmes blerjes së votës.
Kemi një shërbim më shumë, të porositur dhe të paguar me paratë e pista të krimit, ku natyrisht një kockë e vockël e tyre shkon edhe për shërbëtorë si Zaloshnja.