Kush është 31-vjeçari i kërkuar në Itali që fshihej në Rrogozhinë

31-vjeçari i arrestuar dje në Rrogozhinë për llogari të drejtësisë italiane duket se ka një betejë të gjatë kundër ekstradimit në vendin fqinj. Sipas gazetës italiane “Corriere” në një artikull të datës 20 janar të vitit 2009, shqiptari Shamo akuzohet për një vrasje të kryer më 6 gusht të vitit 2007, ku ka humbur jetën Elvis Daci, 27 vjeç, me origjinë shqiptare. Krimi u krye në Firence.
Në nëntor të po atij viti, policia italiane lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për Florenc Shamon. Shqiptari Shamo sipas artikullit, ka udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës, si në Greqi, Holandë, Spanjë dhe në Shqipëri.
Por, më 4 janar të vitit 2009, ai ishte nisur me një anije mallrash në drejtim të Torontos në Kanada, nëpërmjet një karte identiteti të falsifikuar italiane, duke u quajtur Geracitano Vincenzo, lindur në Siderno në krahinë e Reggio Calabria. Sipas gazetës italiane, shqiptari kishte kryer edhe një operacion për ndryshimin e fytyrës.
Më 16 janar të atij viti, shërbimet e emigracionit në Kanada e arrestuan atë në Portin Halifax dhe gjatë asaj kohe do të nisnin procedurat e ekstradimit. Në një artikull të datës 16 shkurt të vitit 2009, shkruhej se shqiptari i arrestuar për falsifikim dokumentesh më 16 janar kishte kërkuar azil politik në Kanada, duke kundërshtuar ekstradimin në Itali apo në Shqipëri. Pretendimi ishte se i rrezikohej jeta, ndërsa ishte paraqitur si qytetar italian.
Ai shkoi në Kanada me emrin italian, por që rezultoi i falsifikuar. Më pas tha se quhej Mario Shamo, ndërsa më vonë u identifikua si Florenc Shamo. Shqiptari ishte pjesë e një bande shqiptare që vepronte në Itali.
31-vjeçari Florenc Shamo ishte në kërkim nga autoritetet italiane pasi është dënuar me 14 vite burg për vrasje në bashkëpunim. Interforce Italia ka dërguar shkresën e datës 03.06.2016, ku është lëshuar urdhri i ekzekutimit nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences, i dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale “Vrasje në bashkëpunim”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Pritet ekstradimi i këtij shtetasi në drejtim të shtetit italian.

Artikulli paraprakFranca e nis me fitore
Artikulli tjetërKapen 8 shqiptarë në Holandë, do hynin ilegalisht në Angli