Kapen 8 shqiptarë në Holandë, do hynin ilegalisht në Angli

Pavarësisht masave shtrënguese të autoriteteve holandeze në tentativë për të ulur klandestinët në portet e vendit, shqiptarët po vazhdojnë të sfidojnë autoritetet holandeze. Gjatë ditës së mërkurë, 8 shqiptarë në dy incidente të ndryshme u zbuluan në Portin Hoek van Holland, pak ditë pas dërgimit të ushtrisë për të siguruar portet.
Nuk po funksionon taktika e Ministrisë së Mbrojtjes këtu në Holandë, e cila prej një jave ka nisur trupat e ushtrisë për të siguruar portet e vendit. Shqiptarët po vazhdojnë në portet e Holandës, për të kaluar ilegalisht në Britaninë e Madhe.
Në dy incidentet të shënuara gjatë ditës së mërkurë u arrestuan 8 shqiptarë në moshat 14 deri 39 vjeç. Në incidentin e parë, katër persona kapërcyen gardin rrethues të Portit Hoek van Holland, duke hyrë forcërisht në një nga kamionet e parkuara në port.
Sipas Policisë së Kufirit, dy nga të arrestuarit e moshës 14 dhe 18 vjeç kishin kërkuar azil në Gjermani. Katër shqiptarë të tjerë u arrestuan po ashtu në Portin Hoek van Holland, ku ato u gjetën të fshehur në një kamion që ishte duke u bërë gati të nisej për në Angli.
Të gjithë personat kanë kërkuar azil në Holandë dhe personat janë në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre. Shqiptarët janë kthyer në temë kryesore në vendet perëndimore, pasi numri i shqiptarëve që tentojnë të ikin ilegalisht në Britani të Madhe është gjithnjë në rritje.
Bandat e trafikantëve shqiptarë kanë një pozitë të rëndësishme në trafikun e emigrantëve nga Franca drejt Britanisë së Madhe. E përditshmja franceze “Le Monde” bën të ditur se prej fillimit të këtij viti janë arrestuar mbi 1225 trafikantë të qenieve njerëzore. Pjesa më e madhe e tyre punonte për llogari të 7 bandave të drejtuara nga shqiptarët, ndërsa pjesa tjetër për 12 grupe të drejtuara nga shtetas me kombësi të tjera.
Por “Le Monde” shkruan se policia franceze nuk ka mundur t’u konfiskojë trafikantëve shuma të mëdha parash të përfituara nga trafiku, pasi emigrantët krijonin lidhje dhe paguanin trafikantët në Shqipëri para se të ndërmerrnin rrugëtimin drejt Francës për të mbërritur në Britaninë e Madhe. Sipas mediave britanike, për trafikimin e emigrantëve që po bëhet një biznes gjithnjë e më fitimprurës, trafikantët shqiptarë kanë lidhje të ngushta me mafian vendase.
Pak ditë më parë, policia franceze vuri në pranga 4 shqiptarë dhe 2 bashkëpunëtorët e tyre francezë, pjesë e një grupi që trafikonte emigrantë klandestinë kryesisht shqiptarë nga Franca drejt Britanisë, përmes portit të Kalesë. Trafikantët përfitonin nga 7 mijë euro për çdo emigrant.

Artikulli paraprakKush është 31-vjeçari i kërkuar në Itali që fshihej në Rrogozhinë
Artikulli tjetërPolicia pengon investimet e Bashkisë për turizmin në Pogradec