Kreu i Bashkisë së Tiranës shpërdoron paratë e qytetarëve duke shkatërruar rrugët që ndërtoi dy muaj më parë. Gati dy muaj më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inauguroi rrugën pranë Pallatit të Kongreseve, duke theksuar se do të ishte një çlirim për këtë zonë. Projekti përfshinte rindërtimin e rrugës që ndan Pallatin e Kongreseve me Hotel “Rogner”, ndërtimin e një rotondoje pranë stadiumit “Qemal Stafa”, si dhe rikonstruktimin e trotuarit ngjitur me stadiumin.
Dy ditë më parë, qeveria nisi shembjen e stadiumit “Qemal Stafa”, për të ndërtuar “Arenën Kombëtare”. Pjesë e shkatërrimit ishte edhe zona e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, trotuari pranë stadiumit.
Vetëm dy muaj pas inaugurimit të Veliajt, pjesa e trotuarit të rindërtuar shkatërrohet. Paratë e taksapaguesve në këtë rast, çohen dëm dhe i vetmi fajtor për këtë është kryebashkiaku i Tiranës, i cili në dijeni të plotë për shkatërrimin e stadiumit, vendosi të rindërtojë trotuarin aty pranë. Janë me dhjetëra milionë lekë të qytetarëve të Tiranës që “flaken” brenda një periudhe kohore shumë të shkurtër.
Trotuari ngjitur me stadiumin është shkatërruar për shkak të punimeve. Është normale që nga futja e mjeteve që do të shembin stadiumin, pjesa e trotuarit do të prishej, por ky fakt nuk e ndaloi Bashkinë e Tiranës të kryente një investim që dihej nga fillimi se do të ishte i pavlerë.
Kjo ngre dyshime të forta për mënyrën se si kryebashkiaku Erion Veliaj, menaxhon taksat e qytetarëve të Tiranës. Në rastin konkret, rezulton se ato janë investuar në një projekt, një pjesë e së cilës “avulloi” për dy muaj. Duke pasur informacionin për ndërtimin e stadiumit, kryebashkiaku mund të mos e përfshinte atë pjesë në projektin e rikonstruksionit. Kështu do të shpëtonte disa dhjetëra milionë lekë, të cilat do të investoheshin diku tjetër.
Ky shpërdorim në këtë mënyrë i fondeve të Bashkisë tregon mungesën e përgjegjshmërisë nga kryebashkiaku Veliaj, i cili edhe pse i shkaktoi këtë dëm qytetarëve të Tiranës, mund të kishte kërkuar që punimet në stadium të kryheshin nga pjesa e prapme dhe trotuari i rindërtuar do të ishte funksional për qytetarët, edhe për pak kohë.
Qeveria ka nisur punimet për shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” dhe ndërtimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”. Ndonëse ndërtimi i këtij stadiumi është kundërshtuar nga opozita, Rama ka nisur punimet. “Arena Kombëtare” u kundërshtua ashpër jo vetëm nga opozita, por edhe nga specialistët për kullën që do të ndërtohet së bashku me të dhe për vlerën e lartë, e cila kap shifrat e 50 milionë euro. “Citynews”