Policia italiane në dy operacione të ndryshme ka sekuestruar rreth 540 kilogramë drogë, armë dhe shuma të mëdha parash. Gjatë këtyre operacioneve janë arrestuar 58 shqiptarë të përfshirë në vjedhje dhe trafik ndërkombëtar droge e armësh. Nga hetimet ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme e parave të drogës transferohej edhe në Shqipëri.
Policia e qytetit të Romës në bashkëpunim me policinë e qyteteve të Ankonas, Kuneos, Padovas, Pratos e Viterbos kanë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm 22 persona, shtetas shqiptarë e italianë me akuzën e grabitjes me armë e trafik të lëndëve narkotike.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 350 kg marijuanë, 500 gramë kokainë, 2 pistoleta me numër serie të fshirë, si dhe 2 pistoleta të tjera të importuara në mënyrë klandestine në territorin italian. Policia italiane ka arritur që të zbulojë një bandë shqiptarësh, falë parave që fitonin nga shitja e drogës, të cilat arrinin deri në 8 milionë euro dhe investoheshin në aktivitete imobiliare në Itali.
Në një operacion të policisë italiane i koduar “Daku” është goditur një bandë shqiptare që trafikonte drogëra të llojeve të ndryshme në linjën Shqipëri-Holandë-Milano. Në këtë operacion janë sekuestruar 140 kilogramë drogë, të llojit kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar një shumë prej 170 mijë eurosh, 13 makina, një pistoletë dhe 2 apartamente. Sipas mediave italiane, droga vinte nga Amerika e Jugut dhe zbarkonte në portet holandeze dhe më pas transportohej e fshehur në makina nga shqiptarët. Sipas hetimeve rrjeti shtrihet dhe më gjerë në Shqipëri. Mediat e huaja përmendin dhe një nga shqiptarët e përfshirë në hetime që është vrarë në Durrës me 33 plumba mitralozi.
Operacioni “Ça bon 2” është faza e dytë e operacionit “Ça bon” nisur më vitin 2014, i cili çoi në arrestimin e 5 shtetasve shqiptarë, si dhe sekuestrimin e 800 kg marijuanë e importuar nga Shqipëria, duke e fshehur në brendësi të një blloku çimentoje të transportuar me traget drejt Italisë.
22 personat e arrestuar dje janë shtetas shqiptarë e italianë të njohur nga forcat italiane të rendit e anëtarë të dy grupeve kriminale. Grupi i parë përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë rezidentë prej disa vitesh në Itali e që merrej kryesisht me importimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas përgjimeve telefonike të policisë italiane, trafikantët përdornin mesazhe në kod për të komunikuar mes tyre. Droga quhej “kuti boje”, “vajza”, “makina”, ndërsa paratë për blerjen e saj quheshin në kod “dokumente” apo procesi i shkëmbimit të mallit “takim për një kafe”.
Grupi i dytë kriminal përbëhej nga shtetas italianë, rumunë, rusë e shqiptarë e aktiviteti i tyre kishte të bënte me grabitjen e lëndës narkotike nga grupet rivale. Gjatë një episodi të dokumentuar nga policia italiane ky grup kishte mundur të vendoste brenda një ngarkese droge të importuar nga Shqipëria një sinjal GPS dhe me anë të një specialisti rumun identifikuan pikën bregdetare në provincën e Barit ku do të shkarkohej droga e importuar me anë të një skafi nga Shqipëria e duke u shtirur si agjentë të policisë italiane ky grup kriminal i grabiti rivalëve të tyre lëndën narkotike.
Sipas policisë italiane dy organizatat kriminale ishin në aktivitet të plotë kriminal pasi gjatë arrestimit në apartamentin e dy prej tyre janë sekuestruar 3 kg marijuanë.
Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë, përveç një çifti kosovar që do të transportonin drogën për në Suedi. Ndërsa në një tjetër operacion, policia italiane ka goditur një bandë shqiptarësh në Romë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat përtej Adriatikut që shkruajnë se shqiptarët e arrestuar merreshin kryesisht me trafik ndërkombëtar droge, importim armësh dhe organizonin vjedhje masive. Ndërkohë, në një operacion tjetër në Monza, policia e Milanos ka arrestuar një shqiptar 30-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 40 kg lëndë narkotike, kokainë dhe hashash, si dhe armë.
R.POLISI