Një festë futbolli që nuk u kurorëzua ashtu si të gjithë shqiptarët shpresonin. Në humbjen me Zvicrën, Kombëtarja u ndikua nga emocionet e minutave të para. Sipas Gianni De Biasi kjo ndodhi pavarësisht përgatitjeve në këtë drejtim, megjithatë, në tërësinë e ndeshjes, trajneri e cilësoi të mirë paraqitjen e ekipit. “Ishte një ndeshje festive, pasi kishim shumë tifozë shqiptarë dhe kjo ishte mjaft e bukur. Por, nga ana tjetër, ia falëm 20 minutat e para kundërshtarëve, pasi nuk hymë në ndeshje me mentalitetin e duhur. Nuk duhej të ishim ndikuar në këtë mënyrë nga ndeshja dhe nga emocionet e debutimit. Përpara ndeshjes e kisha thënë që duhet të mundoheshim ta nisnim mirë ndeshjen, duhej t’i kalonim emocionet dhe tensionin. E kishim përgatitur mirë sfidën, edhe pse nuk e interpretuam mirë në fillim, por në tërësi ishte një paraqitje e mirë e skuadrës”, u shpreh De Biasi.
Në një ndeshje të ndikuar nga episodet kundër, si goli i pësuar apo kartoni i kuq i kapitenit Cana, Shqipëria kishte shanset e saj për gol. Episodet e pashfrytëzuara nga Sadiku dhe Gashi janë pengu i madh i kuqezinjve, ndërsa De Biasi i trembet edhe lodhjes së lojtarëve. “Po, patëm tre raste mjaft të pastra gjatë ndeshjes. Madje në pjesën e dytë të lojës kishim dy mundësi flagrante dhe sfida mund të ndryshonte. Për më tepër, mos të harrojmë që ishim edhe në inferioritet numerik. Ky është aspekti që peshon edhe pak më tepër, prej punës dhe lodhjes më të madhe të skuadrës, në tentativën që të ndryshonim rezultatin”, tha trajneri.
Beteja e humbur nuk e demoralizoi trajnerin kuqezi, që kërkon nga skuadra të shfrytëzojë shanset e saj në dy sfidat e mbetura me Francën dhe Rumaninë. “Lufta vazhdon. Humbëm raundin e parë, nga tre të mundshëm. Na mbeten edhe dy ndeshje, që duhet të mundohemi t’i shfrytëzojmë sa më mirë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se luajmë ndaj kundërshtarë të vështirë. Megjithatë, duhet të luajmë ashtu si në pjesën e dytë të sfidës me Zvicrën”, përfundoi De Biasi.
Në morinë e opinioneve të pasndeshjes, qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj bën ndoshta analizën më të saktë të humbjes së Shqipërisë në debutimin e saj në Europian. “Ky është një nivel shumë i lartë. Edhe zviceranët gabuan, edhe Franca gaboi një ditë më parë, por në këtë nivel kundërshtari nuk ta fal gabimin dhe në rastin e parë që i vjen bën gol siç ndodhi me Zvicrën, kurse ne i patëm rastet dhe nuk e ndëshkuam. Këtu është dallimi, pasi çdo skuadër gabon, jo vetëm sot, por gjithmonë, jo vetëm ne”, tha Mavraj.
Më urtësinë që e karakterizon, Mavraj preferon ta vërë theksin te notat pozitive të kësaj ndeshjeje për Shqipërinë. “Nuk do të flasim për gabimet, por për paraqitjen e skuadrës. Ka qenë një paraqitje shumë e mirë. Kemi pësuar gol dhe ngelëm me 10 lojtarë dhe nuk e di se sa mund të jenë ato skuadra që të përgjigjen në këtë mënyrë dhe të mbajnë atë ritëm si ne. Mendoj se përfaqësuam kombin me shumë vlera”, përfundoi Mavraj.