Kërcënimet ndaj gjyqtarit, KLD padit penalisht Tahirin

Këshilli i Lartë i Drejtësisë kallëzon në Prokurori ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për sulmet kërcënuese ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi dje një mbledhje jashtë radhe, të thirrur nga kryetari i Këshillit, për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në sistemin gjyqësor, pas sulmeve të papranueshme, fyese dhe kërcënuese të ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Gjatë diskutimeve, anëtarët e Këshillit dënuan ashpër intimidimin që po i bëhet gjyqtarit Arjan Aliaj në veçanti, por dhe trupës gjyqësore në tërësi, ku në përfundim, Këshilli vendosi të bëjë kallëzim penal pranë prokurorit të Përgjithshëm, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Tahiri.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj gjyqtarit që disa ditë më parë pezulloi nga detyra me kërkesë të Prokurorisë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako në lidhje me hetimet që po zhvillohen për një pajisje që dyshohet se ka përgjuar në mënyrë të paligjshme. Por sulmet e Saimir Tahirit kanë vijuar të ashpërsohen edhe më shumë në ditët në vijim.
“Kryeministri Edi Rama, ashtu si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për ‘gabimin’ e tij të vetëm se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, kishte miratuar kërkesën e prokurorit, për dhënien e masës së pezullimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ky reagim, pasuar nga një fjalor i papërshtatshëm, kur artikulohet nga një Kryeministër dhe një ministër i Punëve të Brendshme, është një kërcënim i hapur ndaj, jo vetëm këtij gjyqtari që dje dha një vendim, por një kërcënim ndaj të gjithë trupës gjyqësore”, thuhet në reagimin e KLD.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë citon se deklarime të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje.
“Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u ‘atakuan’ nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem. Në respekt të opinionit publik, e informojmë se gjyqtari Arjan Aliaj, është rikthyer më parë në sistemin e drejtësisë, me vendimin e KLD nr. 256, datë 02.12.2009, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nr. 11, datë 02.04.2003. Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë për mediat, KLD i bën thirrje Ramës, si dhe gjithë drejtuesve të tjerë të lartë të heqin dorë nga presionet dhe shantazhet ndaj organeve të drejtësisë. Nga ana tjetër, KLD kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kërkon Kryeministrit të vendit, funksionarëve të tjerë të lartë ose jo, por dhe kujtdo, që ushtron apo parashikon të ushtrojë ndikim, presion apo kërcënim, ndaj gjyqtarëve a trupës gjyqësore në tërësi, ta ndalojë menjëherë, ndikimin, presionin apo kërcënimin, sepse ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet themeleve të shtetit të së drejtës, dëmi më i madh që mund t’i bëhet aspiratave të vendit për integrimin evropian. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës, ashtu, si dhe duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor dhe garantimin kurdoherë të një transparence dhe përgjegjshmërie maksimale në përmbushjen e detyrave”, thuhet në reagim.

R.POLISI

Artikulli paraprakEULEX-i në Kosovë deri në qershor të vitit 2018
Artikulli tjetërÇako pranoi se pajisja e përgjimit dekodoi numrat IMEI