Banorët e rrethit të Tropojës iu drejtuan Kosovës për të parë ndeshjen e kombëtares tonë me Zvicrën. I gjithë rrethi i Tropojës ka qenë pa energji elektrike ditën e djeshme nga ora 13:00 deri në 19:00 për shkak të remontit të linjës 110 kw të tensionit të lartë. Qytetarët janë shprehur të indinjuar, pasi ndërhyrja e OST-së në linjën e tensionit të lartë përkoi me orarin kur u zhvillua ndeshja Shqipëri-Zvicër.
Qytetarët thonë se një pjesë e mirë e tyre janë detyruar të nisen drejt Kosovës për të parë ndeshjen e kombëtares. “I gjithë rrethi i Tropojës është privuar nga e drejta për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur të kombëtares sonë për shkak të ndërprerjes së energjisë. Një pjesë e madhe e popullit po merr rrugën për ta ndjek në Kosovë. Ky është diskriminim që po na bëhet”, deklaron një qytetar i Tropojës.
Për këtë ngjarje skandaloze ka reaguar edhe deputetja e PD e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj. Deputetja e Tropojës shprehet në një postim në Facebook se, ndërhyrja në sistemin e shpërndarjes së energjisë ka lënë Tropojën pa energji pikërisht në kohën e transmetimit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër.
“Gjithë rrethi i Tropojës është privuar nga e drejta për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur të kombëtares tonë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga OST me pretekstin e riparimit të linjës së tensionit të lartë, ndërprerje që do të zgjasë deri në orën 19:00. Shumë sportdashës po marrin rrugën për ta ndjekur ndeshjen në Kosovë. Ky është diskriminim që po na bëhet, shprehen banorët e Tropojës, sot e gjetën?”, shkruan deputetja e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj.
Ky është një diskriminim që i bëhet Tropojës. Është e pajustifikueshme që OST të planifikojë remontin e linjës 110 kw të tensionit të lartë pikërisht në ditën dhe në orarin e zhvillimit të ndeshjes së shumëpritur për të gjithë shqiptarët, atë të kombëtares me Zvicrën në Europian. Me të drejtë lind pyetja, pse pikërisht këtë ditë është planifikuar remonti i linjës së tensionit të lartë? A nuk kishte plot ditë të tjera, pse remonti nuk është kryer paradite në mënyrë që edhe banorët e rrethit të Tropojës të shikonin kombëtaren tonë në ndeshjen e parë në Europian.
Kësaj qeverie nuk i mjaftoi heqja e transmetimit të ndeshjeve të Europianit Televizionit Publik Shqiptar, por edhe ndërprerja e energjisë elektrike në orarin e zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër. Europiani transmetohet nga të gjitha televizionet publike në të gjithë Europën, përfshi edhe Greqinë, ndërsa në Shqipëri Televizioni Publik nuk i transmeton ndeshjet e Kampionatit Europian ndonëse ky televizion mbahet me taksat e shqiptarëve.
Ndeshjet e kampionatit Europian nuk jepen në TVSH për shkak të pazareve të Ramës me drejtorin e televizionit, një njeri i afërt i tij. Ky skandal ka ndezur revoltën tek qytetarët, shumica e të cilëve nuk kanë asnjë mundësi ta ndjekin Europianin për shkak se nuk kanë mundësi për të blerë “Dixhitalb”.