Mërgim Mavraj i ka idetë e qarta, Shqipëria nuk do të dorëzohet pas disfatës së hidhur kundër Zvicrës. Për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Europiani i skuadrës kuqezi nuk ka përfunduar këtu. Në konferencën e shtypit nga qendra stërvitore në “Perros Guirec”, shtatlarti i repartit të tërhequr u shpreh i bindur se Shqipëria është gati për t’i bërë ballë Francës. “Nuk është hera e parë që humbasim në mënyrë të tillë, por edhe në të shkuarën jemi rikthyer më të fortë dhe këtë e kemi si obligim. Rezultati nuk ishte ai që meritonim. Ne jemi gati për Francën dhe me pak fat do të përpiqemi të marrim pikë për të mos humbur trenin e kualifikimit”, u shpreh Mavraj.
Mavraj u ndal më pas te mungesa e Canës për sfidën e “Velodrome”, duke shprehur bindjen se, skuadra do të luajë në një nivel të lartë edhe pa kapitenin. “Ne kemi treguar edhe me Zvicrën se edhe me 10 lojtarë dhe pa Canën kishim një mbrojtje të qëndrueshme. Edhe në të kaluarën kemi treguar se çdo lojtar është i rëndësishëm, sepse forca jonë është grupi dhe nuk besoj se edhe ndaj Francës do të ndihet mungesa e Lorikut. Nuk e di kush do luajë krah meje, por vendimin e merr trajneri. Ne duhet të japim më të mirën dhe të mos mendojmë se kush luan. Cana është shumë i rëndësishëm për ne. Është një lojtar me perosnalitet dhe me shumë përvojë në situata të tilla, por jam i bindur që do t’ia dalim ta zëvendësojmë dhe do të bëjmë një ndeshje si me Zvicrën dhe ndoshta edhe më të mirë”, tha ai.
30-vjeçari kuqezi mendon se takimi i së mërkurës është më i rëndësishëm se sa ai me Zvicrën, pasi për Shqipërinë është një ndeshje mbijetese. “Nëse arrijmë rezultat pozitiv do të kemi shpresa, por me një humbje mund të humbasim shumë. Ne nuk kemi asgjë për të humbur dhe do ta shijojmë maksimalisht dhe do të mundohemi që ta vendosim në vështirësi Francën, sepse do të kemi rastet tona. E njohim Francën, por do të ketë shumë ndryshime me dy takimet miqësore. Është një situatë shumë ndryshe, nuk mund të krahasohen as lojtarët dhe as ndeshjet”, tha Mavraj.
Në vijim, Mavraj i rikthehet edhe një herë humbjes së Lensit, duke e pranuar se skuadra kishte emocione dhe shprehu keqardhjen që ai dhe lojtarët e tjerë nuk arritën të plotësonin pritshmëritë e tifozëve. “Pas ndeshjes është shumë lehtë të bëjmë analiza. Kemi pasur shumë emocione. Është normale një gjë e tillë, duke pasur parasysh edhe numrin e tifozëve që na kanë përkrahur. E ndien veten borxhli ndaj tyre dhe në ato momente bllokohesh, por gabimet ndodhin, por në shumicën e ndeshjes luajtëm shumë mirë. Emocione kishim edhe gjatë pjesës së dytë dhe jo vetëm në minutat e para”, përfundoi Mavraj.