Kroacia i falet magjisë së Modriç

E nis me një fitore shumë të rëndësishme europianin, skuadra e Kroacisë që arriti të kalonte me shumë vështirësi Turqinë 1-0 falë një magjie të Luka Modriç. Skuadra e drejtuar nga Ante Cacic zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke eklipsuar Turqinë e Fatih Terim, që nuk arriti të shfaqej agresive në “Parc De Princes”. Kroatët që ishin shumë herë pranë dyfishimit të rezultatit nuk arritën ta mbyllnin ndeshjen, por në krahun tjetër as Turqia nuk gjeti hapësira në mbrojtjen kundërshtare për t’u rikthyer në lojë, duke bërë një start zhgënjyes. Turiqa e nisi ndeshjen me Tosun në majën e sulmit dhe Turan e Calhanoglu në sulm, ndërsa në kampin kroat, Mandzukiç ishte i vetëm në majën e repartit të avancuar. Ritmi ishte menjëherë i lartë me Modriç që u shfaq i rrezikshëm që në minutën e 2, ndërsa Calhanoglu tentoi të krijonte panik në zonën kroate.
Ishte Brozoviç  që iu afrua dy herë avantazhit, por rastin më të pastër e finalizoi Tufan, i cili me kokë nuk arriti të kalonte Subasiç që në dy kohë arriti të kontrollonte saktësisht. Kur kishin mbetur edhe disa minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Modriç në vrapim e sipër lëshon një silur që kapi të papërgatitur portierin turk, duke çelur zyrtarisht festën për skuadrën ballkanase. Terim, ul në stol Ozyakup për të rritur peshën e sulmit, duke hedhur në fushë Volkan Sen, por Turqia nuk arrin të gjejë hapësira. Ishte Srna, ai që tronditi traversën me një goditje dënimi, ndërsa në minutën e 67 ishte Brozoviç që iu afrua golit të dytë pas një topi të marrë nga Mandzukiç. Tranversë edhe për Perisiç në minutën e 72, ndërsa Turqia reagoi me një goditje dënimi të Erkin. Tre pikë të arta për Kroacinë që hedh një hap të sigurt drejt fazës tjetër në grupin më të fortë të Europianit, ndërsa Turqia e nis evenimentin në mënyrën më të keqe dhe tashmë ka nevojë për një mrekulli.

Artikulli paraprakSpanja fiton me vështirësi
Artikulli tjetërGjermania nuk gabon në start