Policia britanike dyshon se, personi që ka vrarë një çift pensionistësh në Angli dhe që ishte i regjistruar si shtetas kosovar nën emrin e rremë Ali Qazimaj ndodhet në Shqipëri. Për këtë arsye, autoritetet policore britanike u kanë sjellë homologëve shqiptarë foto të personit të shpallur në kërkim, i cili mendohet se pas largimit nga Anglia vazhdon jetën e tij në arrati në Shqipëri.
Përveç fotos, autoritetet britanike kanë sjellë edhe prova të tjera të siguruara në vendngjarje dhe që implikojnë shtetasin shqiptar në vrasjen e çiftit të pensionistëve. I kërkuari, në momentin e largimit nga Britania ka lënë mjetin e tij tip “Citroen C3” pranë Portit të Doverit, rreth dy javë më parë. I kërkuari që ishte regjistruar si Ali Qazimaj nga Kosova, ka qëndruar për rreth 17 vite në Angli me identitet të rremë. Verifikimet e britanikëve në Kosovë rezultuan se, Ali Qazimaj ishte një zdrukthtar që nuk kishte qenë asnjëherë në Angli dhe nuk fliste asnjë fjalë anglisht.
Mësohet se dy oficerë të Interpolit po koordinojnë informacionin me pikat kufitare, kryesisht në Rinas, si dhe Morinë, për të skanuar të gjithë listën e personave që kanë hyrë gjatë 10 ditëve të fundit në Shqipëri.
Fotoja e Ali Qazimajt është shpërndarë në të gjithë hyrje-daljet e vendit, ku në rast se do të ketë konstatim të hyrjes së ndonjë personi me ngjashmëri të njëjtë me personin e dyshuar është dhënë urdhër që të ndalohet dhe të njoftohet Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.
Policia britanike e Suffolk njoftoi se janë duke vijuar kërkimet për të gjetur Sylvia Stuart, e cila rezulton e zhdukur, ndërsa bëhet me dije se detektivët anglezë po bashkëpunojnë me kolegët e tyre në Europë për të gjetur Ali Qazimajn. Një 61-vjeçar është arrestuar, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e Peter Stjuart dhe zhdukjen e bashkëshortes së tij që në datën 3 qershor.