Me pesë emra, Elvisi, ishte edhe Ervin, dy Envera edhe Bashkim Hallulli

Elvis Rroshi, Ervin Rroshi, Enver Rroshi, Enver Proshi, Bashkim Hallulli. Janë këto pesë identitetet e ndryshme përmes të cilave kryebashkiaku i inkriminuar i Kavajës ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë së disa vendeve të BE, duke paraqitur mjete identifikimi me emra të ndryshuar. Janë zbardhur 5 emrat që mbante kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, dy prej të cilëve diheshin deri më tani. Përveç Elvis dhe Ervin Rroshi, kryebashkiaku i Kavajës ka mbajtur edhe dy emra të tjerë, Enver Rroshi dhe Bashkim Hallulli, ndërsa në rastin e pestë, ai ka ndryshuar vetëm mbiemrin. Kryebashkiaku është quajtur edhe Enver Proshi. Kreu i Bashkisë së Kavajës u arrestua dje me urdhër të gjykatës, duke u akuzuar për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit. Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.

Dënimi për përdhunim në Itali që fshehu Elvis Rroshi

Elvis Rroshi paraqiti dy dokumente për të treguar se është i pastër dhe “nuk është takuar asnjëherë” me drejtësinë italiane. Ashtu siç ishte befasuar nga lajmi se kishte qenë i dënuar për përdhunim në grup, në Itali, me çertifikatat penale të marra në këtë vend ai befasoi të gjithë ata që e dinin se ai kishte hequr dorë njëherë e mirë nga Bashkia e Kavajës. Rroshi u tha shqiptarëve se meqë figuronte i pastër, s’kishte më arsye për t’u dorëhequr. Ai nuk iu përgjigj më pyetjes nëse e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar në moshën 16–vjeçare nga dy shkallë të gjyqësorit në Campobasso të Italisë, në vitin 1992. Por tre ditë përpara se të merrte çertifikatat penale ai e pranoi po publikisht se, nga avokatët që ai kishte angazhuar, kishte zbuluar dënimin me 1 vit e 4 muaj për përdhunim në grup dhe për dhunë fizike. Pra, dënimi për Elvis Rroshin ekziston në regjistrat e drejtësisë italiane, ashtu siç e kanë zbuluar avokatët e tij, pavarësisht se më vonë Rroshi e mohoi. Por përse nuk figuron ai në këto çertifikata penale apo dëshmi penaliteti? Ekspertë të jurisprudencës shpjegojnë për “lapsi.al” se, dënime të tilla si ai i Elvis Rroshit nuk shkruhen në dëshmitë e penalitetit, referuar nenit 175 të Kodit Penal italian mbi “të drejtën për të mos u përmendur” –diritto di non menzione. Në këtë nen thuhet: Në rast se në dënimin e parë merret një masë dënimi jo më shumë se 2 vjet apo një gjobë që nuk i kalon 516 euro, gjykatësi, duke patur parasysh lehtësirat e cituara në nenin 133, mund të urdhërojë që të mos përmendet dënimi në çertifikatën penale që u jepet privatëve, jo për shkak të ligjit zgjedhor. Nëse i dënuari bën një krim tjetër, urdhri për të mos i përmendur dënimet e tij në çertifikatën penale revokohet. Neni jep edhe përgjigjen për pyetjen se përse çertifikata penale e Rroshit figuron e pastër në një kohë kur ai ka qenë i dënuar, siç pohon ai vetë dhe siç tregon një dokument i publikuar në portalin “opinion.al”. Siç shpjegon neni 175, kur dëshmia e penalitetit kërkohet nga një individ në mënyrë private, dënimi i tij, nëse është një i vetëm dhe më pak se 2 vjet burg, nuk përmendet. Rroshi është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg në vitin 1992 nga Gjykata e Shkallës së Parë për minorenët në Campobasso, dënim ky që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit për minorenët. Ky nen nuk aplikohet në rastet kur dëshmia kërkohet si detyrim i ligjit zgjedhor. Ai nuk ka fuqi as në rastet kur çertifikata penale apo dëshmia e penalitetit kërkohet nga ndonjë autoritet zyrtar. Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimin pas dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit nga Elvis Rroshi dhe do kërkoi zyrtarisht informacion edhe në Itali për Elvis (Ervin) Rroshin. Kërkesa e organit shqiptar të hetimit zbuloi edhe të vërtetën mbi dënimin e Rroshit, që u bë shkak që ai të jepte dorëheqjen për tre ditë dhe po ashtu edhe të vërtetën mbi çerftifikatat penale që e bënë atë të ndryshonte mendje.

Artikulli paraprakKLD, dy akuza ndaj Tahirit në Prokurori
Artikulli tjetërModeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik