Trajneri i Shqipërisë, De Biasi ka folur dje për ndeshjen që do të luaj ndaj Francës, por edhe për ndeshjen e luajtur ndaj Zvicrës. Sipas De Biasit ndeshja ndaj Zvicrës mund të quhet pozitive nga mënyra e lojës, por jo nga gabimet e bëra nga lojtarët. Tekniku italian ka thënë se, në ndeshjen ndaj Francës ekipi do të japë më të mirën në fushë.
“Jemi të zhgënjyer për rezultatin në debutim, sepse megjithë inferioritetin numerik që kërkon ta hedhë sa më shpejt pas shpine ndeshjen në Lens luajtëm mirë. Krijuam dy raste të pastra për gol, mbi të gjitha në minutat e fundit me Gashin. Humbja na la shije të hidhur, por në fushë skuadra tregoi më tepër aspekte pozitive sesa negative. Përjetuam një atmosferë të zjarrtë dhe shumë tifozë që na mbështetën dhe kjo shtoi peshën dhe tensionin te skuadra. Edhe pse me 10 lojtarë, në pjesën e dytë ekipi luajti mirë, duke provuar të ndërtonte lojë dhe krijoi raste për gol. Kjo ishte përgjigja më e mirë”, u shpreh De Biasi.
“Hera-herës në futboll ndodhin surpriza. Një vit më parë e mposhtëm Francën në Shqipëri. Përballë tyre kemi luajtur gjithmonë mirë, duke barazuar edhe në Rennes në vitin 2014. Këtë herë do të jetë ndryshe, por pa frikë, do të luajmë shanset tona”, tha De Biasi. Lojtarët shqiptarë kanë treguar klasin e tyre në fushë gjatë stërvitjes së fundit në prag të ndeshjes me Francën.