Deputeti i Bundestagut, Frei: Shoqëria gjermane nuk do të lejonte një ministër të Brendshëm si Xhafa

Deputeti i Bundestagut gjerman Thorsten Frei, raportuesi i CDU/CSU për Shqipërinë, në një intervistë për “Panorama” thotë se pas skandalit që përfshiu ministrin Fatmir Xhafaj, ai s’mund të vijojë të kryejë më me besueshmëri funksionin që i ka ngarkuar kushtetuta.
Sipas standardeve gjermane, ai s’do të ishte më në detyrë, thotë deputeti Frei, por për largimin e tij, vendimtare do të kishte qenë edhe reagimi i shoqërisë civile gjermane.
Pyetje: Ju dhe kolegu i CDU-së V Vadepaul keni qenë mjaft të hapur në intervistat e mëparshme ndaj Saimir Tahirit, duke kritikuar mbrojtjen e tij politike, si dhe për ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj, duke nënkuptuar që ai nuk mund të qendrojë me besueshmëri në detyrë pas skandalit që përfshiu atë dhe vëllain e tij. A mendoni se këto pikëpamje reflektojnë një qendrim më të gjerë në Berlin?
Përgjigje: Po. Sipas standardeve gjermane, ai ndoshta nuk do të mbetej në detyrë. Faktori vendimtar është gjithmonë presioni i shoqërisë sonë shumë të fortë civile.
Intervista
-“Panorama”: Zoti Frei, ju, si raportues i Shqipërisë, keni ndjekur nga shumë afër zhvillimet në vendin tonë dhe keni shpjeguar rolin e Bundestagut gjerman në vendimin e BE-së për të hapur negociatat e pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që u duk se në Këshillin Europian, në qershor, u bë një hap përpara për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ka debat këtu nëse në qershor të vitit të ardhshëm hapja e negociatave do të jetë automatike apo do të ketë një vendim të ri, pozitiv ose jo? A mund ta shpjegoni këtë duke iu referuar rolit të Bundestagut.
Thorsten Frei: Natyrisht, nuk ka asnjë mënyrë automatike për të nisur negociatat e pranimit verën e ardhshme. Vendimi u shty në fund për shkak të mangësive ekzistuese. Sipas pikëpamjes sonë, ka dy deficite të mëdha. Së pari, përfundimi i vetingut për 57 gjykatësit dhe prokurorët më të lartë, pra, funksionimin e pavarur të gjykatave më të larta. Së dyti: përfundimi i Reformës Zgjedhore dhe zgjedhjet lokale, të cilat mbahen nën regjimin e një ligji të ri zgjedhor. Vetëm nëse këto eliminohen, unë jam i sigurt se Bundestagu dhe veçanërisht Grupi Parlamentar i CDU/CSU do t’i rekomandojë qeverisë federale që të miratojë hapjen e negociatave të pranimit në Këshillin Europian.

-Çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe çfarë mendoni ju se do të bëjë Gjermania?
Gjermania, siç thamë, do të mbështesë dhe do të ndihmojë për të gjitha reformat e nevojshme. Por, sfidat më të mëdha qeveria shqiptare duhet t’i zgjidhë së bashku me shoqërinë shqiptare. Reformat, të cilat janë dakordësuar me opozitën dhe ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe prioritetet kyçe të lidhura me to, mund të vazhdojnë të përmbushen dhe jo vetëm në letër.
-Ju dhe kolegu i CDU-së, VVadephul, keni qenë mjaft të hapur në intervistat e mëparshme ndaj Saimir Tahirit, duke kritikuar mbrojtjen e tij politike, si dhe për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke nënkuptuar që ai nuk mund të qëndrojë me besueshmëri në detyrë pas skandalit që përfshiu atë dhe vëllain e tij. A mendoni se këto pikëpamje reflektojnë një qëndrim më të gjerë në Berlin?
Po. Sipas standardeve gjermane, ai ndoshta nuk do të mbetej në detyrë. Faktori vendimtar është gjithmonë presioni i shoqërisë sonë shumë të fortë civile.
-Kriza e fundit që kemi në Parlament, ka të bëjë me një projekt ndërtimi në qendër të Tiranës të Teatrit Kombëtar, të cilin qeveria e ka nxitur me një ligj të posaçëm dhe opozita e quan një mashtrim të madh. Ajo ka mobilizuar edhe qytetarë dhe figura publike dhe ka kapur vëmendjen edhe të medias ndërkombëtare. Presidenti e ka dërguar ligjin përsëri në Parlament dhe Komisioni Europian është duke kontrolluar nëse ai e shkel Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. E gjithë kjo, pa asnjë Gjykatë Kushtetuese funksionale. A e keni ndjekur këtë?

Po, e kam ndjekur rastin. Ngre shumë pyetje në lidhje me ligjin e BE-së dhe Kushtetutën shqiptare. Prandaj, nga këndvështrimi im, Presidenti Meta, me të drejtë, e ktheu ligjin përsëri në Parlament. Dhe në mënyrë të qartë është e vështirë të qartësohet rasti mbi sundimin e ligjit, pa Gjykatë funksionale. Rasti i Teatrit Kombëtar do të tregojë gjithashtu se sa serioz është Edi Rama me anëtarësimin në BE. Shkolla e Magjistraturës është bllokuar dhe është bërë një çështje politike pasi nuk mund të funksionojë sipas ligjit të aprovuar dy vite më parë nga shumica.
-Ndërkohë që është bërë një ligj i shumicës së cilësuar, opozita ka kushte për miratimin e tij. Cili do të ishte qëndrimi juaj, meqë keni komentuar më herët mbi Reformën e Drejtësisë?
Ligji siguron një nga levat e pakta që ka opozita. Prandaj, është e kuptueshme që PD-ja dhe LSI-ja të kenë kërkesa me miratimin e tyre. Në fund, është në dorë dhe përgjegjësia e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij për të gjetur një kompromis, për të nxitur reformat e nevojshme dhe për të arritur përparim konkret në rrugën drejt Europës.

Agron Xhafaj Fatmir Xhafaj

Artikulli paraprakVjedhja skandaloze me uniformat e policisë, ministria e Brendshme, 10 milionë euro në dy vjet
Artikulli tjetërUrdhëri i Ramës: Me 3 Shtator të votojmë në Parlament shembjen e Teatrit, pritet betejë qytetare