Dalin dokumentat, qindra miliona lekë tendera për të dënuarin me 21 vite burg në Itali për drogë

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia blu ka publikuar provën se si Buxheti i Shtetit është vënë në shërbim të trafikantëve të drogës.
Në fjalën e tij Spaho ka deklaruar se biznesmeni Edmond Bego, i arrestura pak ditë më parë në Igumenicë është ish-anëtar i bandës së Aldo Bares dhe mik i deputetit socialist Taulant Balla.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania Inerte Express, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së Taulant Ballës nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrike dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017”, deklaroi Spaho.
Deklarata e plotë:
“Arrestimi i trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego, mik familjar i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është dëshmia më e freskët sesi Edi Rama ka kriminalizuar gjithçka, që nga zyra ku punon, deri tek paratë që u merr shqiptarëve me taksa gjithnjë e më të lart.
Partia Demokratike po publikon sot një provë zyrtare sesi buxheti i shtetit është vënë në shërbim të mikut kriminel të Taulant Ballës, i cili tha dje se nuk ishte përdorur si mburojë politike për ish anëtarin e bandës së Lushnjës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “Inerte Express”, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së taulant ballës, nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017.
Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Dokumentat tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd.
Kolegu im, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duhet t’u thotë shqiptarëve a ka bërë ai sekserin me OST-në, që miku i tij trafikant droge të fitojë një tender prej 100 milionë lekë?
Sa më shumë të heshtë Taulanti pa sqaruar çfarë e lidh atë me miqësi familjare me një trafikant të rrezikshëm droge, që autoritetet italiane e kanë dënuar me 21 vjet burg, aq më shumë forcohet bindja për rolin e Taulant Ballës si sekser të miliona eurove që ia merr shqiptarëve për t’i ndarë me trafikantin e drogës”.

Artikulli paraprakRonaldo zbulon objektivin kryesor te Juventus…
Artikulli tjetërShpërthen revolta edhe në facebookun e Ramës: “Ti duhesh përmbysur megjithë qeveri”