Në vijim të denoncimeve lidhur me tenderat pas të cilave dyshohet se fshihen afera korruptive, “citynews” risjell sërish në vëmendje fitimin e procedurave të prokurimeve publike nga Maksim Fejzulla, edhe pse është i kallëzuar penalisht nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP). I njohur për qytetarët korçarë si Maksi i plehrave, rezulton të jetë i kallëzuar në organet e drejtësisë në cilësinë e administratorit të kompanisë “Korsel” shpk, pasi sipas ISHMP-së, subjekti në fjalë nuk ka respektuar kontratën me Spitalin Rajonal të Korçës për përpunimin e mbetjeve spitalore.
Njoftimi i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve mban datën 1 prill të këtij viti. “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, bazuar në Ligjin 10463, neni 52, datë 22.03.2011, ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’, ka gjobitur në masën 1.5 milionë lekë për kundërvajtje administrative, për moszbatim të rregullores për administrimin e mbetjeve spitalore Spitalin Rajonal të Korçës. Po ashtu, ka gjobitur po me 1.5 milionë lekë edhe kompaninë e licencuar, e cila ka kontratë me Spitalin e Korçës për përpunimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore, pas konstatimit se kompania ka pasur mbetje të papërpunuara. Nga ana e inspektoratit është proceduar gjithashtu me kallëzim pranë organeve të drejtësisë për administratorin e kompanisë”, thuhej në njoftimin e ISHMP.
Sipas një kërkimi të “citynews”, rezulton se Maksim Fejzulla ka vijuar të shpallet fitues në tenderat e institucioneve publike, qofshin qendrore apo lokale, edhe pse ai mund të jetë pjesë e një hetimi nga organet e drejtësisë. Siç duket më poshtë, “Korsel” shpk ka vijuar të ketë transferta nga Thesari i Shtetit edhe pas datës 1 prill 2016.
Në statistikat e siguruara nga “citynews”, rezulton se kompania nën administrimin e Maksim Fejzulla ka marrë 2.4 milionë lekë të vjetra për të larguar mbeturinat spitalore të Spitalit Rajonal Korçë, një shërbim ky që sipas ISHMP-së nuk është kryer.
Nëse llogarisim tranfertat e kryera nga Spitali i Korçës për “Korsel” shpk, për periudhën duke filluar vitin 2015 të plotë dhe deri në majin e këtij viti, kompania ka marrë 2,112,720 lekë të reja.