Pas sulmit të djeshëm me armë në banesën e prindërve të gazetares, Klodiana Lala, ku gjendeshin dhe dy fëmijët e saj të mitur, prokuroria e Tiranës ka marrë dëshminë e vetë gazetares në kuadër të hetimeve, që kanë nisur për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.
Për mbi 3 orë, gazetarja Lala ka dhënë dëshminë e saj duke i qëndruar faktit se sulmi me armë mbi banesën e prindërve të saj është bërë për shkak të punës si gazetare, pasi nuk ka asnjë konflikt tjetër, as Lala dhe as familjarët e saj që ndodheshin në banesë në momentin e sulmit.
Banesa e prindërve të gazetares u qëllua me breshëri arme automatike në orët e para të së enjtes. Ky sulm ngjalli panik tek banorët mes të cilëve ishin edhe dy vajzat e gazetares. Policia deri më tani nuk ka identifikuar asnjë si autor të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Familjarët e gazetares: Si e përjetuam sulmin
Një ditë pas të shtënave me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në Laknas, fshat pak kilometra larg Tiranës, vihet re një prani e madhe policësh si dhe oficerësh që po hetojnë ngjarjen.
Në shtëpinë e gazetares Lala ka njerëz. Babai është i ulur në verandën e shtëpisë, me dy oficerë policie që e pyesin për detaje.
Antoneta Lala, motra e Klodianës, thotë: “Ky sulm nuk ka lidhje me babain apo me mua. Mendoj se ka lidhje me motrën sepse nuk është hera e parë që ndodh. Ka pasur edhe kërcënime të tjera”.
U aludua se ngjarja lidhet me detyrën e të vëllait të gazetares, Rexhepit, i cili ka punuar prej 4 vjetësh si specialist në burgun e Fushë-Krujës dhe prej 3 javësh si jurist në burgun e Krujës. Por, për familjarët e saj ky variant nuk qëndron.
“Nuk e di se çfarë aludojnë mediat, por im vëlla nuk ka pasur probleme kurrë”, thotë Antoneta.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes. Po atë natë, shumë afër familjes Lala zhvillohej edhe një dasmë dhe të shtënat u mendua se vinin prej andej.
“Babai doli jashtë për të parë, por është errësirë këtu. Më vonë babai ka parë gëzhojat”, tregon motra e gazetares.
Antoneta tregon se në shtëpi kishte shumë njerëz atë natë.
“Dy vajzat e Klodianës, babai, nëna dhe dy mysafirë. Nuk mendoj se kanë dashur të vrasin njeri, pasi po të donin, do të kishin vrarë”.
Familja Lala ka 20 vjet që jeton në Laknas,
“Nuk kemi frikë, nuk i kemi kujt borxh, kështu që nuk do të largohemi këtu. Vetëm u kërkoj që të mos krijojnë terror te fëmijët”.
Banorët e fshatit shprehin shqetësim dhe pasiguri për jetën, pas kësaj ngjarjeje.
“Nuk është e sigurtë jeta kështu. Të të vijë tjetri me armë te dera, është e frikshme”, thonë banorët. /tch/