Shpërthen KiE: Shqipëria në listën e zezë për pastrimin e parave, krimin dhe prokurorinë

Moneyval është mekanizmi i përhershëm monitorues i Këshillit të Europës, me 47 anëtarë, që raporton drejtpërdrejtë pranë Komitetit të Ministrave dhe ka detyrën e vlerësimit të përputhshmërisë së shteteve me standartet ndërkombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe bën njëkohësisht vlerësimin e masave efektive për implementimin e këtyre standardeve.
Në datat 2-6 Korrik, u mbaj në Strasburg Seanca e 56 Plenare e Komitetit të Ekspertëve të Vlerësimit të Luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval), ku u përfundua vlerësimi i Shqipërisë dhe Letonisë.
Ndërsa publikimi i Raportit të Shqipërisë duket se do të vonojë, lajmi i futjes së Shqipërisë nën vëzhgim për mospërmbushje të garancive dhe standardeve që kërkon lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit u konfirmua gjatë seancës plenare.
Në Raport dhe komentet e delegacioneve përfaqësuese të shteteve anëtare, korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e hetimeve efikase nga ana e prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese për luftën kundër financimit të terrorizmit, ekonomia informale dhe mungesa e kontrollit të Bankës së Shqipërisë mbi subjektet që licencon, ishin arsyet që bënë Shqipërinë të rifutet në
“listën e zezë”. Tashmë, FATF do të monitorojë nga afër vendin, për një periudhë kohore dhe nëse nuk përmbushen masat e rekomanduara, Shqipëria do të vijojë të konsiderohet vend i pasigurt për investimet e huaja.

Penalizimi i rëndë dhe dëmi i ardhur interesave të shtetit shqiptar, po mbahet i fshehtë nga Ministri Arben Ahmetaj, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe Bankën e Shqipërisë, manipuloi me qëllim të dhënat dhe statistikat e raportuara ekspertëve të huaj vlerësues, të cilët gjatë vizitës në terren, konstatuan mospërputhje të shifrave dhe të dhënave që kishin administruar zyrtarisht.
Nuk dihet ende nëse kjo situatë u shkaktua nga papërgjegjshmëria e stafit rozë të Ministrit Ahmetaj, apo u bë me qëllim të qartë për përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve jo të sigurta, dhe përdorimin e rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Europës si pretekst për ndryshime ligjore dhe organizative, për përforcimin e kompetencave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, së bashku me ato të Bankës së Shqipërisë.
E ndërsa qëllimi mbetet akoma i dyshimtë, pasojat janë më se të qarta. Një sërë penalitetesh financiare e presin Shqipërinë, duke e shenjuar sot si një parajsë në zemër të Europës për pastrimin e parave.
Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, prej kohësh nuk kryen funksionin që i ka ngarkuar ligji, por është shndërruar në një “tigër” sulmues ndaj bizneseve, nën urdhërimet dhe sipas interesave të ministrit Ahmetaj. Ky i fundit, i cili në fakt është i pari ministër financash në 26 vjet që e “ngec” duke e kthyer mbrapsht ingranazhin monitorues europian për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri, për klimën “e butë” dhe benefitet që i ka sjellë krimit financiar në vendin tonë, meriton të shpërblehet nga partnerët e huaj me një post më të fuqishëm ministri dhe jo më në Shqipëri, por në Eurozonë.

Artikulli paraprakIka sepse shtetarët të shisnin tek kriminelët, ndërsa pronari s’të jepte rrogën
Artikulli tjetërPushteti i Rilindjes me në ballë Edvinin dhe në bythë Erionin që ja fal tokën e Teatrit privatit