Një ditë pas mbledhjes në Shkodër, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka lëshuar një tjeter mesazh duke premtuar çlirimin e qeverisjes nga krimi. Në një postim në “Facebook”, sot, Basha ka dhënë mesazhin e qartë se opozita do të jetë përkrah qytetarëve.
“Partia Demokratike dhe opozita do vazhdojnë të jenë në krah të qytetarëve në përballje me bandat në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë apo kudo ku ato qofshin! Bashkë do të çlirojmë qeverisjen dhe vendin nga krimi! Pa kompromis!” ka nënvizuar kreu i opozitës në përfundim.
Një ditë më parë, Basha deklaroi nga Shkodra se, axhenda e vetme e opozitës është shtypja e krimit dhe çlirimi i qeverisjes nga krimi.
Basha theksoi se, në Shkodër duhet të ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, por ai ndodhet në Tiranë, në shoqërinë e Ballës, Çyrbes dhe Xhafajt, si dhe eksponentëve të tjerë të lidhur me krimin.
“Edi Rama nuk mund të jetë këtu, ai është në Tiranë me Jurges Çyrben, Taulant Ballën dhe Fatmir Xhafajn, si dhe me shumë eksponentë të tjerë të lidhur me krimin. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se sa hipokrite janë thirrjet që vijnë sot nga Kuvendi. Me këtë të bashkëpunojmë? Me vëllain e Agron Xhafajt? Me Taulant Ballën, që pohoi me gojën e tij se është mik me anëtarin e një prej bandave më famëkeqe në historinë e Shqipërisë. Apo me Jurges Çurbjen, që përgjimet tregojnë se si i referohet vetes së tij dhe bandës së Shullazit si një i vetëm”, u shpreh kreu i PD-së.