Disa muaj më parë emisioni “Stop” trajtoi problematikën e ndotjes që krijonte fabrika e asfaltit në Allias. Pranë kësaj fabrike ndodhet shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi”, një shtëpi për të moshuarit, një shkollë për fëmijët me aftësi të kufizuara, një qendër shëndetësore dhe shumë shtëpi.
Banorët e zonës u ankuan në emisionin “Stop”, pasi shëndeti i tyre ndodhej në rrezik nga tymi dhe ndotja e fabrikës, që nuk ndalte punën as ditën e as natën.
Më 24 Janar 2018 drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes, Elton Kacidhja i premtoi emisionit “Stop” se në muajin Shkurt kjo fabrikë do të zhvendosej nga zona e populluar.
Sipas tij, fabrika do të transferohej në një vend të përshtatshëm, ku nuk do të ndoteshin as njerëzit dhe as ambienti përreth.
“Ne momentalisht po punojmë për montimin e nyjës së re dhe për pjesën e dokumentacionit, që nyja të jetë e certifikuar me një raport vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe me një licencë për kryerjen e asaj veprimtarie. Pra, do të jetë sipas parametrave, standardeve dhe procedurave ligjore që parashikon shteti shqiptar”, u shpreh asokohe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes.
Më pas lokacioni u mbajt i fshehtë, por emisioni “Stop” e zbuloi shumë shpejtë. Tanimë fabrika është zhvendosur në Pezë-Helmas.
Banorët e zonës fillimisht e pritën vendosjen e impiantit si një investim të madh, për shkak të një ngatërrese. Më parë iu premtua se aty do të ndërtohej një kënd lojërash. Sot banorët ankohen për ndotjen që u shkakton fabrika.
Njëri prej tyre tha: “Në fillim na thanë që po na sjellin disa lodra për fëmijë. Pas 2-3 ditësh pamë që ngritën këtë fabrikën, por nuk u interesuam sepse një investim do të thotë mirëqenie. Kur e vunë në punë këtë fabrikë u mbush vendi plot me mjegull, një erë që nuk durohej”.
Ndërsa një tjetër u shpreh: “Këtu nuk jetohet më. Ose të na heqin ne si banorë, ose bashkia të marrë masa që këtë fabrikë ta “shporrë” dhe t’i gjejë një vend sa më të përshtatshëm, ku nuk banojnë njerëz!”.
Një banor i zonës shtoi: “Nga vetë emri Pezë-Helmas, kjo është një zonë shumë e ndotur, që ajrin e kishim falas, por na e mori shteti. Shumë faleminderit nga të gjithë!”
Ata treguan se kanë protestuar për heqjen e kësaj fabrike që po shkatërron shëndetin e tyre dhe të fëmijëve dhe se tanimë do të ndjekin rrugën ligjore, duke u shprehur: “Këtë nuk do ta falim!”
Pranë fabrikës së asfaltimit dhe betonit ndodhen edhe sera me fruta-perime, të cilat më pas serviren në tavolinat tona, si dhe një shkollë 9-vjeçare.
“Kur dal në pushimin e gjatë nuk ha dot bukë nga tymi i keq. Ne kërkojmë të hiqet”, u shpreh një fëmijë. Ndërsa një tjetër u ankua se kanë edhe dhimbje koke nga kjo ndotje.
Eksperti i mjedisit Sazan Guri, që ka bërë ekspertizën, doli në konkluzionin se ndotja është tepër e lartë sepse ka metale të rënda, si dioksina dhe furani, që ndikojnë në ajër, ujë, mjedis dhe bimësi dhe si rrjedhojë në shëndetin e njerëzve.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i banorëve, Altin Goxhaj tha se juristët e bashkisë kanë gënjyer në sallën e gjyqit, pasi pretenduan se kishin një leje për prodhimin e asfaltit. “Leja thotë tekstualisht: Nuk lejohet prodhimi i asfaltit!”, u shpreh ai.
Sazan Guri i bëri thirrje kryetarit të bashkisë që të mendohet mirë para se të bëjë një vepër të gabuar. /tvklan/