-Peka: Do pranoni të bëhen zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër?
Basha: Synimi ynë është i qartë dhe prerë: Ti japim fund bashkëqeverisjes me krimin të Edi Ramës. Largimin e kësaj qeverie dhe ti japim njerëzve një zgjidhje politike e cila kalon jo vetëm e thjeshtë përmes zgjedhjeve lokale, por përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve me zgjedhje të lira e të ndershme, për të pasur një parlament të pastruar nga krimi dhe një qeveri që përfaqëson votën e qytetarëve.
Peka: Do futeni në zgjedhjet lokale me këtë hartë dhe me Edi Ramën kryeministër?
Basha: Zgjedhjet lokale janë pas 10 muajsh. Ne nisim sot përgatitjet për tu futur dhe për të fituar zgjedhjet lokale, me zgjedhje të lira dhe të ndershme…
-Peka: Pra nuk ka bojkot…?
Basha: … dhe me një qeveri të çliruar nga krimi. Këto janë objektivat tona politikë.
-Peka: Në të kundërt?
Basha: Unë besoj që këto dhjetë muaj do të shihemi prapë apo jo? Fjalën e fundit e do sot se çfarë do ndodhë pas dhjetë muajsh?
-Peka: A është bojkoti i zgjedhjeve lokale alternativë zoti Basha?
Basha: Në tryezën tonë të opsioneve, gjithçka politike është alternativë. Por, në momentin që po më pyesni, Partia Demokratike me aleatët, po përgatiten fuqishëm që të konkurrojnë dhe të fitojnë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbikëqyrura nga një qeverisje e çliruar nga krimi.
-Peka: Para katër viteve, ajo që ra në sy tek opozita, ishte caktimi i kandidatëve për kryetar bashkie në limitet e afateve kohore, çfarë në fakt duket se i penalizoi kandidatët…
-Basha: Disa prej tyre. Por asgjë nuk do ti penalizojë më shumë se sa shitblerja e votës..
-Peka: Sigurisht, por gjithsesi, a ka zënë mend opozita? A keni një strategji kësaj radhe që kandidatët të jenë të përcaktuar kohë më parë dhe të kenë mundësi të punojnë në zonat e tyre?
Basha: Në kontrast me pyetjen e mëparshme, po. Përgatitjet do të nisin shumë më përpara. Përgatitjet do të jenë serioze. Që do të thotë bashkë me procesin e riorganizimit të brendshëm të Partisë Demokratike, do të nisë edhe procesi i konsultimit për kandidatët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe për kryebashkiakë. Do të nisim konsultimet me anëtarësinë e PD, me qytetarët dhe ky është një proces që do të ecë paralel me kauzat e tjera, betejat e tjera politike, ku siç ju thashë parësore dhe kryesore është çlirimi i Shqipërisë nga bashkëqeverisja me krimin.
-Peka: LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, në mos gaboj edhe nga PD kam lexuar të njëjtin qëndrim. Në media po qarkullojnë disa emra. Dashamir Shehi nuk e ka përgënjeshtruar, nuk e ka refuzuar kandidaturën, por ka thënë është herët ose me kismet… Ka qarkulluar emri i Jorida Tabakut, i Klajda Gjoshës. A ka Lulzim Basha të kristalizuar në kokën e tij një emër për Tiranën?
Basha: Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Por, siç ju thashë në këtë aspekt, jemi realisht të parakohshëm. Procesi do të nisë dhe një gjë ju garantoj, që të paktën në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, Partia Demokratike do të jetë gati shumë më herët seç ka qenë në ndonjë palë zgjedhje të tjera në historinë e saj.
-Peka: Zoti Basha, dy javët e fundit të çadrës PD u gjend para një kryqëzate të faktorit ndërkombëtar, apo presioni siç edhe vet jeni shprehur, për tu futur me çdo kusht për tu future në zgjedhje. A i ka rikuperuar Partia Demokratike raportet me aleatët e saj ndërkombëtar?
Basha: Partia Demokratike ka raporte të shkëlqyera me aleatët ndërkombëtar. Çështjet janë ato, diskursin racional, diskutimin, debatin racional perëndimor, kjo nuk është çështje inatesh midis partive apo të individëve. Një çështje merret dhe debatohet në të dyja anët. Secila palë ka konsideratat e veta dhe në politikë natyrisht interesat e veta. Në rastin e çadrës mbizotëroi interesi për stabilitet i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe Partia Demokratike dhe unë morën përgjegjësinë që ti përgjigjeshim këtij interesi duke mos e çuar vendit drejt saj ku do të shkonte në mënyrë të paevitueshme, përplasjes civile. Sot, ne para këtyre partnerëve, jemi në gjendje të demonstrojmë me fakte se zgjedhjet e vitit të kaluar prodhuan një qeveri edhe më problematike. Sepse siç thashë, kaluam nga një ministër i brendshëm që e bënte trafikun e drogës me kushërinjtë, tek një ministër i brendshëm që e bën drogën më vëllanë. Kaluam nga një apo dy banda që bënin ligjin, në sundimin e gjithë qyteteve të Shqipërisë apo të gjithë Shqipërisë nga bandit dhe krimi i organizuar. Kaluam nga 70 në 80 përqind të shqiptarëve që duan të largohen nga vendi. Nga 40 në 50 biznese që mbyllen në ditë. Kemi arritur sot në shifrën, meqë është dhe fillimi i vitit të ri shkollor, 144 mijë student dhe nxënës që kanë braktisur shkollat. Sot kam marrë një informacion që po verifikohet, se vetëm në Elbasan dhe në Fier janë mbyllur afro 30 shkolla. Pse? Sepse nxënësit dhe studentët po braktisin shkollat, një pjesë prej tyre po largohen nga Shqipëria. Pra në 1 vit e disa muaj, partnerët po e shohin se me Edi Ramën kryeministër pas zgjedhjeve tepër problematike, ku Bashkimi Europian konstatoi se 20 përqind e shqiptarëve pranuan se e kishin shitur votën dhe a mund të bëhet fjalë për parlament e qeveri legjitime? Sot Shqipëria, në raport me interesat e tyre po flas tani jo më interesat e shqiptarëve, eksporton më shumë krim, eksporton më shumë drogë dhe çon më shumë emigrant të paligjshëm sesa një vit më përpara. Pra, natyrisht që në këtë këndvështrim i cili është i bazuar mbi fakte dhe jo mbi opinione, është e drejtë të thuhet se një numër i madh partnerësh ndërkombëtar po reflektojnë dhe po thonë: Po Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, çadra, kishin të drejtë. Se vazhdimësia e Edi Ramës kryeministër, përmes lejimit të manipulimit të procesit zgjedhor të qershorit 2017-të, ka sjellë më shumë dëme për Shqipërinë, më shumë andralla për BE-në dhe SHBA-në.
-Peka: Megjithatë që nga viti 1997-të e deri më sot, faktori ndërkombëtar i ka dhënë prioritet stabilitetit përballë demokracisë. Që të gjithë besoj e pranojmë se para një viti fitoi stabiliteti por humbi demokracia.
Basha: Absolutisht!
-Peka: Kur do të jetë opozita e gatshme ti bëjë ballë çdo lloj presioni, qoftë edhe faktorit ndërkombëtar, tezës së stabilitetit mbi demokracinë? A do të vendosë demokracinë mbi stabilitetin?
Basha: Kjo në radhë të parë është një sfidë për gjithë Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, pasi opozita është e qartë dhe unë jam i qartë. Natyrisht përgjegjësitë që opozita ka, shkojnë përtej radhëve të opozitës. Në qoftë se opozita fjala vjen, do të kishte vendosur mos’hyrjen në zgjedhje vitin e kaluar, kjo do të prekte shumë më shumë njerëz, sepse unë jam i bindur se kjo do të çonte në një përplasje me pasoja afatgjata për vendin. Unë besoj se një bashkim i madh i qytetarëve, tani që çështjet janë kaq të thjeshta dhe të lehta për tu kuptuar, jo thjeshtë në arsyetim, por në tavolinat e tyre, në xhepat e tyre. Në fjalët që thonë në shtëpitë e tyre dhe kur dalin në kafene. Një bashkim i madh i shqiptarëve do të çonte në ndryshimin që të gjithë duan, pa patur një kosto disproporcionale. Pra që do të thotë, ky regjim mund të them se është një regjim i falimentuar dhe mjafton një qëndresë e vendosur e qytetarëve shqiptarë dhe një opozitë e vendosur dhe e qartë në objektivat e saj, që kryeministri në letër dhe qeveria e tij në letër ti lënë vendin nga një bashkëqeverisje me krimin, nga një sundim i krimit në qytetet e rrugët e Shqipërisë, një qeverie që zbaton ligjin, shtyp krimin dhe organizon zgjedhje të lira e të ndershme. Tani mund të ju them dhe të ju garantoj se opozita e ka këtë vendosmëri e ka këtë qartësi.