Babëzia Beqja nuk ndalet, tjetër pazar me dy tendera 3 milionë dollarë

Ministria e Shëndetësisë ka realizuar në datën 9 mars dy tendera me vlerë të konsiderueshme, fondi limit i të cilëve arrinte në 339 milionë lekë ose mbi gati 3 milionë dollarë. Sipas Syri.net objekti ka qenë “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e parë dhe “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e dytë. Por në të dy tenderat ka patur një koinçidencë të çuditshme.
Në tenderin e parë, atë për “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” kanë marrë pjesë 6 kompani. Por vetëm njëra prej tyre ka paraqitur ofertë financiare, ndërsa 5 kompanitë e tjera nuk kanë paraqitur fare ofertë. Si rezultat tenderi, me fond limit 168 milionë lekë, është fituar nga ofertuesi i vetëm bashkimi i shoqërive Montal sh.p.k dhe Biometrics Albania, për vlerën 164.4 milionë lekë ose vetëm 2 për qind poshtë fondit limit.
Dyshimet shtohen për faktin se e njëjta skemë është përsëritur edhe në tenderin e dytë atë të, “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore”, i zhvilluar në po të njëjtën ditë, pra më 9 mars. Edhe në këtë tender kanë marrë pjesë 7 kompani, por çuditërisht vetëm njëra ka paraqitur ofertë, ndërsa 6 të tjerat nuk kanë dhënë asnjë ofertë financiare.
Si rezultat tenderi me fond limit 171.7 milionë lekë është fituar nga ofertuesi i vetëm, bashkimi i operatoreve ekonomik O.E.S Distrimed dhe Euromed. Edhe ky tender është fituar me një çmim vetëm 1.2 për qind nën fondin limit. Në të dy rastet Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fitues ofertuesit e vetëm.

Kryqëzim konkurrentësh
Por një tjetër fakt i çuditshëm është se dy kompanitë që kanë marrë tenderin e parë kanë marrë pjesë në tenderin e dytë, por pa paraqitur ofertë. Po kështu një nga fituesit e tenderit të dytë OES Distrimed ka marrë pjesë në tenderin e parë, por pa paraqitur ofertë. Sipas dokumentave rezulton se kompanitë pjesëmarrëse janë kryqëzuar me njëra-tjetrën, por pa garuar, një skemë që hedh dyshime për marrëveshje paraprake mes kompanive dhe paracaktim të fituesve, një skemë që funksionon vetëm nëse përfshihet edhe autoriteti kontraktor, pra, në këtë rast ministria që drejtohet nga Ilir Beqja. Ministria e Shëndetësisë ka qenë shpesh në qendër të akuzave për korrupsion si me konçesionet ashtu dhe tenderat publik.

Beqaj centralizoi tenderat
Më 28 dhjetor 2015, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ka nxjerrë një urdhër që u heq të drejtën të gjitha spitaleve rajonale anembanë vendit për të realizuar procedura tenderimi mbi shumën e 800 mijë lekëve për blerjen e barnave ose të materialeve mjekësore.
Urdhri është përqendrim dhe monopolizim i paprecedentë i kompetencave të spitaleve rajonale, të cilat jo shumë vite më parë fituan disa të drejta për vetë-menaxhimin e tyre në kuadër të procesit të decentralizimit dhe rritjes së efiçencës, raporton Hashtag.al.
Beqaj ka ngritur një Grup-Pune që do të shërbejë si njësi prokuruese për të gjitha spitalet, do të jetë kjo njësi që do të marrë kërkesat e spitaleve mbi nevojat që ato kanë për barna dhe mjete spitalore dhe më pas i njëjti Grup-Pune do të zhvillojë dhe procedurat e tenderimit për të gjitha ato blerje që janë mbi 800 mijë lekë.
Në grupin e punës prej 4 personash spikat dhe prezenca e zonjës Shpresa Bello, e cila është dhe kunata e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj.

Artikulli paraprakPronarët e shpronësuar të komunizmit zvarriten në procesin e rikthimit të pronave
Artikulli tjetërSkandal, Bashkia e Durrësit jep dy herë fonde për të njëjtën rrugë