Cristiano Ronaldo nuk arrin ta gëlltisë barazimin e Portugalisë së tij në ndeshjen debutuese kundër Irlandës. Në një intervistë dhënë për gazetarët, luzitani ironizoi me festën e ishullorëve pas ndeshjes së Saint-Ettiene.
“Pasi festuan në atë mënyrë, mendova se fituan europianin. Ishte e pabesueshme. Provuam në çdo mënyrë për ta fituar ndeshjen dhe Islanda nuk tregoi asgjë në fushë. Për mendimin tim, kjo tregon mentalitetin e ngushtë që kanë ata si një skuadër e vogël dhe në këtë europian nuk do të bëjnë asgjë. Është normale që jam i hidhëruar, pasi nëse ke një skuadër të fortë dhe krijon më shumë raste dhe nuk fiton ndihesh keq. Gjithsesi, futbolli është i tillë. Do të luajmë edhe dy ndeshje dhe kemi shumë besim se do t’ia dalim mbanë”, u shpreh Ronaldo.
Ronaldo luajti ndeshjen e 127 me fanellën e Portugalisë, duke barazuar rekordin e Luis Figos, por ai nuk preferoi të ndalej në këtë fakt, duke shtuar se Islanda nuk bëri asgjë tjetër, veçse parkoi autobusin përpara portës. Në këtë aspekt, statistikat i japin të drejtë numrit 7, pasi skuadra e Santos e goditi portën 26 herë, duke treguar se është një skuadër si pak të tjera në këtë europian.
“Provuam të bënim ndeshjen tonë, por ata u mbrojtën me të gjithë skuadrën. Nuk duhet të alarmohemi dhe nuk jemi aspak të shqetësuar, sepse Islanda e gjeti golin me të vetmen goditje në portë. Unë personalisht jam mirë fizikisht, por mendoj se do të përmirësohem pas çdo takimi për të arritur formën optimale”, tha ai.
Portugalia do të rikthehet në fushë të shtunën, pasi do të sfidojë Austrinë në ndeshjen e dytë të Grupit F.