Në qytetin e Shkodrës është bërë një lajmërim për t’iu bashkuar marshimit organizuar kundër krimit që po sundon këtë qytet.
Marshimi është njoftuar se do të nis nesër në orën 19:00 nga sheshi përballë bashkisë.
Marshimi do të jetë paqësor ndërsa slogani i tij është “Bashkë rrijmë, të ndarë bijmë”.
Ky organizim vjen vetëm pak ditë pas mbledhjes që grupi parlamentar i opozitës zhvilloi në Shkodër, duke ju referuar situatës së rendit në këtë qytet ku brenda pak muajve janë ekzekutuar 6 persona ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Ngjarje tragjike dhe vrasje mafioze raportohen thuajse çdo ditë në Shkodër, duke na treguar se krimi ka pushtuar qytetin e kulturës dhe po udhëheq frikshëm. Ngjarja e fundit u shënua ku u ekzekutua me armë zjarri 30-vjeçari Arjan Ferracaku, ku dyshimet flasin se kemi të bëjmë me një përplasje mes bandave kriminale.
Biznesmeni i njohur u gjet i ekzekutuar në Livadhe, në periferi të qytetit, por kjo nuk është ngjarja e parë, pasi vetëm në muajt e fundit janë shënuar një sërë ngjarjes kriminale, si pasojë e përplasjes së bandave duke e kthyer kryeqendrën e veriut në Palermo. Nga muaji qershor deri sot janë regjistruar 6 viktima. Në datë 18 qershor u ekzekutua me armë zjarri Mehdi Kavaja. Pronari i servisit të makinave, 60-vjeçari Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë në banesën e tij, ndërsa ende nuk dihen motivet dhe autorët.
Në 15 korrik u shënua një tjetër ngjarje e rëndë, pasi u ekzekutuan me armë zjarri në makinë çifti Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci. Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja 25-vjeçe, u ekzekutuan me armë zjarri automatike e llojit “M5P”, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 23 gëzhoja.
Në 10 gusht, Shkodra do të tronditej nga një tjetër vrasje mafioze. I vrarë në një atentat mbeti 53-vjeçari Fatbardh Lici. Ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër kur u ekzekutua, ndërsa ende nuk janë arrestuar autorët.
Dyshohet se ishin dy persona që iu afruan në lokalin që po pinte kafen dhe njëri prej tyre ka dalë duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi. Lici dyshohet se në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Gjithashtu Fatbardh Lici është kunati i Lul Kullës, i njohur si i “forti” i Shkodrës. Aktualisht Lul Kulla është në burg pasi u arrestua në pikën kufitare të Kakavijës, për shkak se rezulton i dënuar në Itali me 13-vite burg.
Ndërkohë që prej datës 23 gusht janë zhdukur daja me nipin, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa. Familjarët në denoncimin e tyre në polici u shprehën se prej datës 23 gusht nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërsa edhe pse kanë kaluar disa ditë ende nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tyre.
Por vrasjet nuk do të kishin të ndalur në Shkodër, pasi në 27 gusht pas një konflikti u vra Prendush Fusha 55 vjeç. Autori është Alfred Pëllumbi, rreth 30 vjeç, ndërsa u arrestua 24 orë më pas. Fusha me autorin kanë qenë fqinj me njëri-tjetrin. Dy shtetasit kishin prej kohësh konflikte pronësie me njëri-tjetrin dhe sherri kulmoi pas denoncimit të viktimës në polici për vjedhje.
Skeda e vrasjeve ne Shkoder
Në 18 qershor u vra Mehdi Kavaja
Në 15 korrik u vranë Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci
Në 10 gusht u vra Fatbardh Lici
Në 23 gusht u zhduk Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa
Në 27 gusht u vra Prendush Fusha
Në 1 shtator u vra Arjan Ferracaku