Drama e 34-vjeçarit: Jeta ime është ferr, më shpëtoni!

Gjithçka nisi 9 vjet më parë, me injektimin e dozës së heroinës që e rrëmbeu në vorbullën e zezë dhe e futi në një rrugë pa krye. Sot, ai është 34 vjeç e po lufton fort për të ardhmen me shpresën se do të kthehet sërish në jetën e mëparshme.
Mund ta gjesh çdo ditë në qendrën “Aksion Plus” në kryeqytet pranë së cilës po merr trajtim të rregullt me metadon prej 3 muajsh. Sapo merr medikamentin “shpëtimtar”, i riu fillon të rrëfejë kalvarin e gjatë të vuajtjeve, luftën për mbijetesë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të dalë përfundimisht nga bota e drogës.
Për të riun, bashkëjetesa me drogën është ferri vetë, përpos faktit që duhet të luftojë i vetëm për jetën e tij. Prindërit e 34-vjeçarit kanë ndërruar jetë, ndërkohë që tregon se i ka shkëputur marrëdhëniet me motrën, vëllanë e gjithë të afërmit e tjerë. Shoqëria e tij e vetme janë përdoruesit e heroinës.
-Sa vjeç je dhe kur e ke filluar drogën?
Jam 34 vjeç dhe kam filluar konsumimin e lëndëve narkotike që 17 vjeç. Si fillim ka filluar hashashin, në 2009-ën kam filluar heroinën.
-Ku e gjen heroinën, në cila zona të kryeqytetit?
E blej heroinën. Ka gjithandej. Një dozë është 10 mijë lekë. Një gram është 30 mijë lekë. E gjejmë, e kërkojmë kudo të jetë. Po ka.

-Po paratë për ta blerë ku i gjen?
Po duke i lypur shokut. Këtu kam gënjyer njerëzit e njohur.
-Gjatë kësaj kohe që je përdorues droge ke pasur probleme me drejtësinë?
Po kam pasur, kam qenë i dënuar. Kam përfunduar 3 herë në burg. Njëherë për dorezë dhe 2 herë për vjedhje.
-Çfarë të shtyu?
Droga, duke konsumuar ilaçe, i pavetëdijshëm.
-Si është jeta për ty?
Ferr. Ngrihem në mëngjes, hap sytë s’kam njeri. Direkt mendja ku do më shkojë. Tek droga. Skam njeri, vetëm muret e shtëpisë. I vetëm. Pa drita, pa bukë, pa njerëz. Në 2011 më arrestojnë me një dorezë hekuri, në atë kohë më vdes mamaja, unë isha në burg. Nuk arrita ta varrosja, as ta shihja. Kur më vdiq mamaja atë kisha. Unë aty kalova në depresion. Mendova se jeta ime ishte vetëm kaq. E vetmja mënyrë ishte heroina që të harroja çdo gjë. Tani jetoj vetëm, nuk kam asnjë.
-A ke motër ose vëlla?
Kam edhe motër edhe vëlla. Janë të martuar, nuk jam ngatërruar me ta. Nuk komunikoj. Nuk kam asnjë lloj ndihme. Unë jam shkatërruar, jam ndarë nga njerëzit e mi. Nuk ka faj asnjë.

-A ke punuar më parë?
Kam punuar motorist, kur ka qenë pa patentë dhe ka qenë më ndryshe, nuk pija heroinë. Nuk pija se e mbushja ditën, ikja punoja 12 orë. Ikja në mëngjes dhe vija në darkë dhe u largova. Kur u bë kjo e patentave, u detyrova, se unë skam ndihmë, skam përkrahje. Dhe u ktheva se te lagjja ime pothuajse të gjithë e pinë.
Ai dëshiron të jetojë si më parë, të ketë një familje dhe të punojë sërish, duke e lënë pas të shkuarën e hidhur. Duke kërkuar nga shteti një trajtim të specializuar mjekësor dhe një rehabilitim total, 34-vjeçari iu bën thirrje të rinjve që të mos bien pre e drogës pasi pasojat mund të jenë fatale.
“Nuk më mjafton vetëm trajtimi i metadonit. Më duhet një shtrim, një trajtim mjekësor. Nëse del dikush e të më ndihmojë. Unë shtrohem. Kush është i mundur të më ndihmojë, do bënte mirë. Ju lutem ju bëj thirrje brenda mundësive, në radhë të parë shtetit e secilit individ, ju lutem më ndihmoni të largohem nga droga e të bëj jetë normale si gjithë të tjerët. Kam gabuar, e di por çdo njeri mund të gabojë. Kjo nuk është jeta, këtu vdes. Isha pjesë e kësaj por ju lutem kushdo me qenë të më japë një dorë të kthehem në jetë. Shpëtoni një jetë njeriu se si puna ime janë shumë të tjerë. I bëj thirrje gjithë të rinjve, ju lutem mos bini viktimë e drogës , se do humbni prindërit, do humbni familjen dhe do katandiseni si unë dhe si shumë të tjerë nga droga”.
Aktualisht rreth 550 persona të varur nga heroina trokasin për të kërkuar ndihmë në dyert e organizatës jofitimprurëse, “Aksion plus” në kryeqytet, por dhe në degët e saj nëpër rrethe.

Shifrat zbardhen për News 24 nga drejtori i kësaj qendre, Genci Muçollari. Ky i fundit thekson se kostot për çdo pacient shkojnë rreth 1 euro në ditë, përfshirë ilaçin metadon dhe seancat këshillimore.
“Në Tiranë bëhen rreth 200 persona, 182 persona, ndërsa bashkë me rrethet shkon numri 550. Po këtu të kemi parasysh që janë dhe ata që janë në burgje ose që kapen në komisariatet e policive dhe numri po vjen gjithnjë në rritje. Statistikat flasin për një numër nga 40 mijë deri në 50 mijë të të gjitha llojeve të drogave që mund të kenë përdorur edhe një herë por 6 mijë – 7 mijë prej tyre janë persona që janë problematikë. Ndodh sepse këtu ka fluks drogash që qarkullojnë, që trafikohen etj., etj. Kostoja është vërtetë e ulët dhe shtetit duhet të investojë dmth është një kosto shumë fitimprurëse. Nëse ti investon 1 euro për një person të tillë ti mund të fitosh nga 10 deri në 15 euro”, thotë Muçollari.
Muçollari bën thirrje për më shumë ndihmë financiare nga shteti për këta përdorues, të cilët nëse nuk marrin dozën e metadonit, rrezikojnë që t’i kthehen sërish rrugës së drogës.
“Në kushtet e shtetit tonë ku nuk ka investime të fuqishme në këtë fushë edhe një qendër që ishte është e mbyllur, metadoni është vetëm një hallkë e një zinxhiri të gjatë shërbimesh. Kështu që në mungesë të këtij sistemi shërbimesh shumë prej klientëve shkojnë nëpër vende fqinje. Kemi pasur dy raste në qendrën tonë që në mungesë të metadonit, pasojat kanë qenë të dëmshme, një rast preu damarët e duarve, ndihej keq. Shpresoj që të gjendet zgjedhje si të sigurohet metadoni sepse me fonde e projekte të huaja nuk mund të zgjasë shumë”, shpjegon ai.

Artikulli paraprakDenoncimi: Miku i ministrit Xhafa u ve gjoba bizneseve, mban në terror Pogradecin
Artikulli tjetërProtestë kundër krimit: “Kultura e Shkodrës është më fortë se plumbat e drogës” (Foto)