Deputeti i PS për zonën e Laçit, Gjetan Gjetani ka reaguar sërish pas përjashtimit nga Rama nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, deputeti socialist Gjetan Gjetani tregon se veprimi i Kryeministrit Rama ishte shumë i padrejtë, pasi është munduar që të evidentojë shqetësimet e qytetarëve, të cilët i janë ankuar për situatën e rëndë të kriminalitetit. Ai tha gjithashtu, se Kryeministri është nxituar në vendimin e tij, në shkelje të statutit.
“Unë kam folur vetëm për zonën e Kurbinit. Nuk pajtohem me vendimin që ka marrë kryeministri. Ai ka të drejtë që të largojë anëtarët, mbase e njeh më mirë sesa unë statutin. Unë nuk di të kem shkelur ndonjë vendim apo pikë të statutit. Kam marrë vendim për t’u larguar. Nuk e di se çfarë ka pasur në kokë Kryeministri. Unë gjykoj se është nxituar dhe nuk duhet ta kishte marrë këtë masë ndaj një deputeti. Ndoshta është ndikuar nga propozimi im për protestë, por unë e kam kërkuar këtë në rast se kryeministri nuk do të merrte masa për pastrimin e krimit në Kurbin. E përsëri, unë i pari dal në protestë për situatën”, tha deputeti Gjetani.
Në vijim të kësaj bisede për “Shekulli”-n, Gjetani bën me dije, se nuk ka ndryshuar qëndrim për atë që ka shprehur, pasi është zgjedhur për të përfaqësuar shqetësimet e qytetarëve.
Një ditë para këtij vendimi, Gjetani është telefonuar nga Kryeministri Rama, i cili e ka kritikuar për sjellje të keqe dhe i ka komunikuar largimin nga partia.
“Çfarë të keqe ka këtu? Të përfaqësoj interesat e qytetarëve të Kurbinit që kanë dhënë mandatin për t’i përfaqësuar në Parlament, apo duhet të mbyll gojën sepse i ngel qejfi Ramës. Këtë e prisja, pasi ma ka komunikuar në telefon një ditë përpara dhe më kritikuar për sjellje të keqe”, tha Gjetani. Ai e akuzoi publikisht problematikat në zonën e Kurbinit, mungesën e investimeve dhe ‘braktisjen’ nga qeveria Rama: “Sot Edi Rama nuk ofron asnjë zgjidhje për Kurbinin. Duke më sulmuar mua publikisht kërkon të mbuloj faktin, që as nuk shtoi investime, as vende të reja pune në Kurbin. Përkundrazi, shtoi vetëm një dozë tjetër të arrogancës së tij, arrogancë që e kanë dhe të besuarit e tij në Kurbin dhe kjo, jo vetëm nuk është ajo çfarë presin banorët me shumë halle, por vetë problemi prodhon edhe më shumë hendek mes qeverisë dhe njerëzve.
Unë pavarësisht se si shkojnë interesat e ditës së Ramës dhe miqve të tij, do të vazhdoj të jem pranë qytetarëve. Nuk kam qenë asnjëherë i pushtetshëm, por kam qenë i vërtetë me njerëzit. Dhe do të vazhdoj të ngre zërin për të gjitha shqetësimet dhe problematikat që kanë qytetarët e Kurbinit, duke mos u lëkundur për asnjë arsye”, është shprehur ai.
Gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare të PS, pasditen e djeshme, Rama tha se Gjetani ka bërë presione për vende pune:
“Sot nuk e pashë këtu dhe ka bërë shumë mirë që nuk ka ardhur, deputeti i Kurbinit i cili duhet të përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Një deputet që, nuk ka bërë asnjë punë tjetër, përveçse ka shantazhuar dhe ka bërë presion mbi këdo ka mundur, për të marrë vende pune dhe që kërkonte ekskluzivitet edhe për të vënë shefa policie në Kurbin dhe pastaj del atje dhe bën një deklaratë të tërë pocaqi kundër Policisë së Shtetit në Kurbin.
Ai nuk mund të jetë deputet i PS-së. Dhe ky duhet të jetë një mësim për të gjithë deputetëve që të ndajnë një herë e mirë historinë nga futja e hundëve në çështjet e administratës dhe të ndërtimit të shtetit serioz. Sepse faturat e hajdutëve nëpër hipoteka që janë futur me mbështetje farefisnore dhe të mënyrave të ndryshme nuk i marrin ata që ndërhyjnë, por PS”, tha Rama.
Kush është Gjetani
Gjetani është zgjedhur deputet i Kurbinit si pjesë e listës së PS në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Lindur dhe banuar në Milot, rrethi Kurbin, ndërsa studimet e larta i ka përfunduar për degën Juridik, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Nga periudha 16.08.2004 – 31.03.2008 ka ushtuar detyrën e punonjësit të policisë në Komisariatin Lezhë. Nga periudha 06.06.2008 – 21.07.2009 ka ushtuar detyrën e punonjësit të policisë në IEVP Lezhë. Nga periudha 01.07.2011 – 04.11.2013 ka ushtuar profesionin e avokatit në Dhomën e Avokatisë Lezhë. Nga periudha 05.11.2013 dhe në vazhdim është në detyrën e përgjegjësit të ZVRPP Kurbin”.