Në tremujorin e parë të këtij viti, Investimet e Huaja Direkte (IHD), kanë shënuar rënieje për 12.9 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto të dhëna janë prezantuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Raporti vlerëson se dy burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike, remitencat dhe IHD-të, u karakterizuan me rënie. Remitencat shënuan rënie vjetore prej 2.2 për qind, përderisa IHD-të u karakterizuan me rënie prej 12.9 për qind. “IHD të pranuara në Kosovë, në TM1 2016, arritën vlerën prej 72.0 milionë euro që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 82.7 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Gjithashtu, remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, në TM1 2016 shënuan vlerën prej 156.5 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.2 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së. Rënien e investimeve, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, e ka arsyetuar me mosrealizimin e investimeve të projektit të Brezovicës. Ai shpreson që në gjysmën e dytë të vitit do të ketë përmirësim të bilancit të investimeve të huaja. “Duke marrë parasysh që projekti i Brezovicës akoma nuk është fut në investimet të realizueshme, kurse nga ana tjetër Komiteti Ndërministror është duke punuar në atë drejtim, atëherë unë besoj që deri në fund të vitit, si çdo herë, pjesa e dytë e vitit është më produktive se sa pjesa e parë e gjysmë vjetorit. Prandaj unë shpresoj dhe mendoj se do të realizohen ato që ne i kemi planifikuar. Dokumentacioni akoma nuk është hap. Komisioni Ndërministror ka me punuar, nuk ka dalë me raport definitiv. Prandaj kur të dalë ne do të shohim dhe do të informoheni. Nuk është hap. Unë nuk kam informacione që është hapur oferta financiare. Diçka investime të tjera të fuqishme nuk ka pasur”, tha Kastrati për “KosovaPress”. Korrupsioni, ambienti jo i favorshëm për bërje biznesi, janë disa prej indikatorëve që kanë ndikuar në rënien e investimeve të huaja thotë Raif Qela, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik. “Në rënien e investimeve në përgjithësi mund të ndikojnë shumë faktorë. Ndikojnë edhe kushtet e veçanta në Kosovës. Në rend të parë klima e të bërit biznes akoma nuk është në nivelin e duhur që të ketë investime të reja. Problemi kryesor i këtij vendi, mendoj që vazhdon të qëndrojë korrupsioni i lartë, i cili qoftë si real apo si perceptim, ndikon në mënyrë që investitorët e huaj seriozë të mos vijnë lirshëm në Kosovë. Përveç këtij faktori janë edhe faktorë të tjerë si mungesa e zbatimit të ligjit, sepse dihet mirëfilli që gjykata dhe prokurori të kenë plot problem. Probleme jo të natyrës ligjore sa të natyrës së zbatimit të ligjit. Kjo është për shkak se akoma nuk ka vullnet politik që të ballafaqohemi seriozisht me korrupsionin si njëra prej dukurive që më së shumti e shkatërrojnë të ardhmen e këtij vendit”, tha Qela. Sipas tij, përveç këtyre indikatorëve mund të ketë edhe faktorë të tjerë periferikë. Ai merr shembull edhe mungesën e kontrollit të konkurrencës në treg. Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, thotë se edhe situata politike mund të ndikojë shumë në rritjen e investimeve. “Këto oscilimet nëpër kuartalë janë të mundshme edhe nuk domethënë se tregojnë ndonjë lidhshmëri. Duhet të presim lëvizjet së paku në kuartalin e dytë dhe të tretë për të dhënë një gjykim më të përafërt. Nuk mund ta komentoj, mund të ketë ndikuar, por nuk mendoj se do të ishte ai faktori kryesor. 2 për qind remitencat nuk mundem me thënë se kanë rënë për arsye se vetë vlerësimi i remitencave është një vlerësim që bëhet me metoda të ndryshme statistikore, kështu nuk është ndonjë rrënjë që duhet të na shqetësojë. Natyrisht që do të duhej të presim. Varet tani edhe me ligjin për investime strategjike, i cili është në procedurë gjithashtu varet edhe stabiliteti politik dhe çfarë mesazhi do të dërgojmë ne jashtë”, tha Mustafa. Ndryshe, sipas raportit të BQK-së, rënia i IHD-ve në Kosovë u evidentua në sektorin e patundshmërive, sektor që shënoi vlerën prej 44.5 milionë euro 11.5 milionë euro më pak krahasuar me TM1 2015, pastaj sektori i shërbimeve financiare që kishte vlerën prej 14.1 milionë euro 7.4 milionë euro më pak krahasuar me TM1 2015. Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të IHD-ve ishin sektori i shërbimeve tregtare, sektori i transportit dhe sektori i bujqësisë. Vlera e IHD-ve në sektorin e shërbimeve tregtare arriti në 4.2 milionë euro 2.5 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 2015, në sektorin e transportit 4.1 milionë euro 4.6 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 2015, në sektorin e bujqësisë 0.8 milionë euro 0.6 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 2015.
Kryesore
Continue to the categoryNga Besart Logu: Mesazhi që përcolli vendimi i Gjykatës Kushtetuese!
Nga Besart Logu
Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e masave të sigurimit ndaj Sali Berishës, ishte dikush tjetër më i intetesuar se vetë...