I favorizuar nga pozicioni gjeografik në mes të Mesdheut dhe nga organizatat kriminale e rrënjosura në territor, Gadishulli Italian është jashtëzakonisht fleksibël dhe i përgatitur për menaxhimin e trafiqeve të paligjshme, në gjendje që të ndryshojë me shpejtësi të madhe modalitetet, mjetet dhe vetë produktet e përfshira në kontrabandën e duhanit sipas situatave. Sipas asaj që përcillet nga KPMG -ja në “Project Sun” e tij, Italia në fushën e kontrabandës ka një shpirt përshtatshmërie që nuk haset në vende të tjera. Në fakt, pavarësisht se burimet e paligjshme e të duhanit ndryshojnë vazhdimisht, konsumi mbetet i qëndrueshëm në rreth 5.8% të totalit të cigareve të konsumuara.
(Burimi: Intellegit, 2017)
Kontrabanda e duhanit në Itali ka pësuar një rënie shumë të fortë në fillimvitet 2000, për t’u rritur më pas gradualisht nga viti 2008 dhe për t’u dyfishuar midis viteve 2011 e 2012. Faktikisht, në vitin 2012, me konsumin e 2.8 miliard cigareve, Gadishulli ka arritur vendin e dytë në renditjen e konsumeve të paligjshme europiane, duke u pozicionuar midis Polonisë (4.5 miliard) dhe Greqisë (1.7 miliard), me një rritje çuditërisht të shpejtë. Në vitin 2015 rezultonte se ishte në vendin e pestë për kontrabandën dhe falsifikimin e cigareve, pas Francës, Polonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë. Edhe falsifikimi ka arritur në fakt nivele shumë të larta në Itali, që në shkallë europiane, bashkë me Mbretërinë e Bashkuara dhe Poloninë, mbulon mbi gjysmën e tregut të këtyre produkteve.
Megjithatë, për momentin, produktet e paligjshme me bazë duhani më të konsumuara në Itali janë të ashtuquajturat illicit whites, cigaret marka të taksuara vetëm për konsum lokal, që eksportohen ilegalisht në vende të tjerë dhe shiten aty me çmime jashtëzakonisht të ulëta. Vendet kryesore furnizuese të cigareve të paligjshme në Itali, por edhe në vende të tjera të Europës Perëndimore, janë ato të Lindjes europiane, për shkak të fitimeve të mëdha që mund të nxirren duke shfrytëzuar diferencën e çmimit të paketave në shtete të ndryshme. Realisht, produktet me bazë duhani kanë në Ukrainë, në Poloni, në Bjellorusi dhe në shtete të tjera të Europës Lindore çmime jashtëzakonisht të ulëta krahasuar me mesataren europiane. Shitja e mallrave të paligjshme me një çmim të fryrë (gjithsesi më i ulët se ai i cigareve të ligjshme) në vende si Gjermania, Italia, Franca apo Anglia garanton kështu fitime të majme. Veç kësaj, kriminaliteti europianolindor ka nisur të lidhë raporte të natyrës tregtare me mafiet tona menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, duke eksperimentuar rrugë dhe modalitete që ndër vite janë konsoliduar gjithnjë e më shumë, duke arritur edhe një aftësi të habitshme në shmangien e kërcënimeve të organeve të kontrollit.
Për më tepër, kontrabanda e duhanit demonstrohet jashtëzakonisht komode, pasi krahasuar me trafiqe të tjera të paligjshme, ofron avantazhe të ndryshme: kontrolle më të rralla dhe më pak të rrepta. Megjithatë, të ardhurat e siguruara nga një krim më i lehtë si si ai i kontrabandës shpesh përkthehen në financime të ripërdorshme në trafiqe të tjera më të rënda, si trafiku i qenieve njerëzore, i armëve apo i drogave, përveçse në aktivitete terroriste në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Markat më të njohura të futura në rrethin ilegal italian janë Marlboro, Pall Mall dhe Winston. Përqindja e lartë e kontrabandës e markave të famshme në Napoli, e regjistruar në Report 2017 e Intellegit, e bën ndoshta qytetin nga ku vijnë këto cigare dhe nga ku përhapen në ekstremitetet e Gadishullit. Edhe illicit whites Regina, American legend dhe Em@il janë tejet të pranishme në territorin napolitan, por janë të përhapura edhe në Bari, Palermo e Milano. Ka shumë të ngjarë që Napoli të ketë një rol qendror edhe në importimin dhe në transportimin e illicit whites. Në fakt është vlerësuar se vetëm në krahinën e Campania, e vënë në kontrollin e drejtpërdrejtë të Camorra, është përqëndruar 33% e kontrabandës italiane.
Grupet kriminale e përfshira në trafikun e duhanit janë për më tepër të lidhura me shoqatat mafioze e Sacra Corona Unita puljeze dhe të Camorra napolitane, por edhe të ‘Ndrangheta kalabreze apo të Mafies siçiliane. Veç kësaj, nëntoka kriminale ka kontakte konstante me gripe kriminale të përtejdetit, si të vendeve të zonës ballkanike, ashtu edhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Në të vërtetë kontrabanda ka marrë një konotacion të dukshëm biznesor në nivel transkombëtar që mundëson të kontrollohet dhe të ndiqet çdo fazë e procesit falë përfshirjes së grupeve kriminale me shtetësi të ndryshme. Në mënyrë të veçantë, Camorra ruan kontakte konstante me kriminaliteti kinez, që merret edhe me falsifikim, dhe me atë rumun. Shumë prej produkteve të paligjshme të prodhuara në Kinë, pasi janë nisur nga portet e Shenzhen, Huangpu apo Xiamen, kalojnë nëpër Dubai dhe përgjithësisht zbarkojnë në portin kalabrez të Gioia Tauro.
Edhe kriminaliteti shqiptar i përfshirë në kontrabandën e duhanit, sipas të dhënave të furnizuara nga Direzione Nazionale Antimafia në vitin 2015, është ende në rritje në Itali, duke ecur në të njëjtin hap me rritjen demografike dhe shpërndarjen kapilare në territor. Janë të përfshirë në trafikun e kontrabandës edhe grupe kriminale me shtetësi bullgare e gjeorgjiane, aktivë sidomos në zonat më të pasura të Italisë qëndroveriore, sidomos në Romë e Milano, dhe në Bari e rrethinat e tij.
Evolucioni i rrjeteve të reja dhe të ndërlikuara të organizatave kriminale, dikur të lidhura fuqimisht me tkontrollin e territorit dhe me strukturën hierarkike, e bën krimin më depërtues, përveçse shumë më funksional dhe të përshtatur me trafiqet e paligjshme me vende edhe gjeografikisht të largëta. Perfeksionimi i kohëve të fundit dhe progresiv i mafieve ndaj kësaj forme të re biznesi ka bërë të mundur një zgjerim të tregut, duke arritur që të asgjësojë ata kufij midis grupeve kriminale që normalisht i mendojnë si thuajse fizikisht ekzistues. Në fakt, pavarësisht se kanë mbetur, të paktën pjesërisht, të lidhura me kontrollin territorial, organizatat mafioze nuk e kanë më një tipar dallues absolut dhe të pandryshueshëm: në emër të një interesi ekonomik, grupet e ndryshme arrijnë që të bashkëpunojnë duke vendosur marrëdhënie të tipit ekonomik, duke kushtëzuar njëri tjetrin dhe duke modifikuar një sistem të tërë në nivel ndërkombëtar.
Grupet kriminale, jo më kaq pastër të dallueshëm si në gjysmën e parë e shekullit të kaluar, po adoptojnë një qasje të globalizuar, duke shkurtuar largësitë dhe duke shumëfishuar fitimet. Nuk janë më vetëm mafiet lokale që nxjerrin fitime nga tregëtia e paligjshme e cigareve në territorin italian, por edhe të gjitha ato organizata kriminale, edhe të markës terroriste, të përfshira në fazat e ndryshme të transportit apo të shitjes së produkteve.
(nga Geopolitica)
Përgatiti
ARMIN TIRANA