UEFA vlerëson Shqipërinë për paraqitjen ndaj Francës

UEFA vlerërson Shqipërinë për paraqitjen e mirë që zhvilloi në Marseille ndaj Francës. Kombëtarja kuqezi iu afrua shumë pranë marrjes së pikës së parë në një kampionat europian, por 5 minutat e fundit të sfidës ishin me të vërtetë vrastare për të besuarit e Gianni De Biasit, të cilët pësuan dy gola, duke dalë pa pikë nga stadiumi “Velodrome”. Gjithsesi paraqitja e Shqipërisë ka marrë vlerësimet maksimale nga faqja zyrtare e UEFA-s, e cila në një shkrim të sajin dedikuar kombëtares kuqezi thekson: “Vlerësimet shkojnë për Shqipërinë që ushtroi presion në të gjitha mënyrat në ndeshjen ndaj Francës”.
Me këto fjalë institucioni më i lartë i futbollit europian, thur elozhe për skuadrën e Gianni De Biasit, që vuri realisht në pozita të vështira Francën. Trajneri Didier Deschamps, por edhe të gjithë tifozët e gjelave ishin në ankth gjatë gjithë takimit, sepse Shqipëria falë një loje kompakte dhe grintës së treguar në fushë nga të gjithë futbollistët i lejoi shumë pak hapësira Bluve, aq sa në momentin e golit të Griezmann, Deschamps festoi si i çmendur, pasi presioni mbi të ishte shumë i madh. Fati nuk deshi që kombëtarja kuqezi të dilte me një pikë nga stadiumi “Velodrome” i Marseilles, megjithatë të gjithë shqiptarët duhet t’i gëzohen asaj paraqitje shumë të mirë që bëri Shqipëria në takimin e dytë në grup ndaj Francës.

Artikulli paraprakLojtarët e trishtuar për humbjen
Artikulli tjetërPatric Evra: Shqipëria e meritonte barazimin