Patric Evra: Shqipëria e meritonte barazimin

Patric Evra, një prej yjeve të përfaqësueses së Francës dhe lojtari me eksperiencën më të madhe, kishte vetëm elozhe për Shqipërinë dhe tifozët kuqezi në përfundim të sfidës në Marsejë. Ekskluzivisht për mikrofonin e Supersport, mbrojtësi i Juventusit uroi Kombëtaren shqiptare për atë që paraqiti në “Velodrome”, pavarësisht humbjes në minutat e fundit. “Kemi luajtur kundër Shqipërisë në miqësore, ku humbëm dhe barazuam në shtëpi. Kur luan kundër Shqipërisë është e vështirë, sepse këta lojtarë japin maksimumin për fanellën. Nuk e di kush mendonte që mund të fitonim lehtë, por ne lojtarët dhe trajneri i respektojmë kombe të tilla, sepse japin maksimumin dhe janë vërtetë të rrezikshme. Fola edhe me trajnerin dhe i thashë që meritonin barazimin kundër Zvicrës, sepse kishin mundësi të shënonin në fund. Mund t’i them vetëm BRAVO Shqipërisë, sepse luan me zemër dhe kanë tifozë të shkëlqyer, që erdhën të shumtë në Francë. Personalisht e dija që ishte ndeshje e vështirë. Urime Shqipërisë, sepse realisht zhvilloi një ndeshje të bukur”, u shpreh Evra.
Patric Evra nuk ndalet vetëm te vlerësimet. 35-vjeçari pranoi se, Shqipëria e meritonte barazimin përballë “gjelave” dhe nuk do të kishte vjedhur asgjë. “Është e vështirë, sepse edhe ne edhe ata kishim raste. Por, nëse Shqipëria do të kishte marrë një pikë nuk do të kishte vjedhur asgjë. Dhanë gjithçka në fushë dhe ndoshta mund ta kishin merituar një barazim”, përfundoi Evra.

Artikulli paraprakUEFA vlerëson Shqipërinë për paraqitjen ndaj Francës
Artikulli tjetërNë minutat e fundit