Nervat tel në kampin e Manchester United, pavarësisht fitores kundër Watford, që ngriti skuadrën e Mourinhos në gjysmën e sipërme të klasifikimit. Gjithsesi, dy ekipet kryesuese ndodhen plot 6 pikë larg, e mbase për këtë arsye, kthimi i Djajve të Kuq në shtëpi nuk ishte dhe aq i qetë. Mbi të gjithë faji i një tifozi shumë bezdisës, që në përfundim është përballur me një prej futbollistëve të United, me të cilin nuk këshillohet aspak të ndeshesh, Marouane Fellaini. Gjithçka është raportuar nga tabloidi britanik, “Daily Mail”, ai që rrëfen situatën e ndodhur teksa Mourinho dhe të tijët po merrnin trenin që do t’i rikthente në Manchester.
Një skenë jo dhe aq e çuditshme, për faktin se shumë klube të Premier League i besojnë zakonsht agjencisë hekurudhore të Mbretëreshës, se sa transfertave të gjata në autobus mes autostradave plot trafik të Anglisë. Në këto kushte Djajtë e Kuq janë identifikuar nga një grup personash pikërisht teksa po hipnin në vagon. Sipas asaj që referon tabloidi, një person nisi të filmojë futbollistët me celularin e tij, duke ndërvepruar me Lukakun dhe komplimentuar belgun për paraqitjen e mirë kundër Watford. Por, më pas situata doli nga kontrolli, me tifozin që nisi të bëhej disi i bezdisshëm me pyetjet mbi zgjedhjen e United për të udhëtuar me tren, madje duke hamendësuar si një zgjedhje për shkak të mungesës së fondeve nga ana e klubit.
Më tej, nisi të bezdisë Fellainin, duke e pyetur me insistim se si një klub si Manchester United kishte zgjedhur hekurudhën. Kërkesa insistuese, në pikën për të detyruar mesfushorin belg, që të marrë situatën në duart e tij, në kuptimin e vërtetë, duke marrë me shpulla tifozin, edhe pse rezultoi që viktimë e duarve të futbollistit të ishte vetëm telefoni i provokatorit. Më pas, tifozi u ndal dhe u vu nën kontrollin e agjentëve të sigurisë së klubit por edhe të hekurudhës. Video përfundon me protestat energjike të tifozit të indinjuar, që ankohet se nuk kishte bërë asgjë të keqe dhe se futbollistët e United nuk janë aq special sa për të mos u filmuar nga askush.