Një prej banoreve shprehet për gazetaren e Fax News Afrovita Hysaj se punonjësit e ALUIZNI-t në Vlorë i kanë kërkuar 150 mijë euro rryshfet në mënyrë që t’i legalizonin banesën dhe biznesin, një market të vogël, me aktivitet kryesisht në sezonin veror.
“Na kanë kërkuar 150 mijë euro që të na legalizonin shtëpinë, ne nuk jemi miliarderë në mënyrë që të paguajmë. Kanë qenë nga ALUIZNI i Vlorës.
Unë e kam pasur marketin plot me mall, unë mallin do ta ktheja që të merrja të paktën paratë e mia mbrapsht, por nuk na kanë lënë fare kohë”, shprehet banorja, e cila tregon më tej se ndërtimin e ka kryer që në vitin 1998.
Edhe më herët një prej banorëve u shpreh se prishja e ndërtimeve po bëhet në mënyrë selektive dhe miqtë e kryeministrit Rama po favorizohen.
‘’Zoti kryeministër sot po në shembni shtëpitë tona, që i kemi ndërtuar me djersën tonë, ju jeni i plotëfuqishëm por po gaboni shumë rëndë. Ja tek e keni mikun tuaj Alban Xhillari që ka ndërtime pa leje dhe nuk e ka gjetur asgjë”, shprehet një prej qytetarëve që po i prishen ndërtesa.