Rreth 80 000 lekë (të reja) i ka kushtuar buxhetit të shtetit uniforma për një punonjës të “Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”, nga këto rreth 70 000 lekë të reja rrobat dhe pak më shumë se 10 000 lekë këpucët.
“Boom” ka zbardhur çmimet marramendëse të çdo pjese të kësaj uniforme, ku një xhup dimëror për stafin e urgjencës ka kushtuar 30 100 lekë të reja, 15 300 mijë lekë është çmimi i pantallonave dimërore dhe 10 500 atyre verore.
Hije të forta dyshimi ngrihen mbi procedurën e realizimit të këtij tenderi, ku gazetarët e “Boom” zbuluan ndryshimet që ju bënë gjatë rrugës specifikimeve teknike, përmes një shtojce.
Më konkretisht: Nëse pantallonat dimërore me vlerë 15 300 lekë, në dokumentet standarde të tenderit, fillimisht u kërkua të kenë në përbërje 98% pambuk dhe 2 për qind elastan, në shtojcë kjo ndryshohet dhe kërkohet realizimi i tyre me material 84 % poliestër dhe 16% elastan.
Kur bëhet fjalë për uniformat e stafit të urgjencës mjekësore, çmimet e të cilave konkurrojnë edhe ato të veshjeve firmato, e ku kriteri bazë është higjiena, as që mund të justifikohet përveçse me dallavere, fakti se nga pambuk, përbërja e tyre u kthye në poliestër!!!
Të pyetura zyrtarisht në lidhje me këtë fakt, “Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore” , por edhe “Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara”, kanë heshtur.
Gjithë këtë investim në fasadën e shërbimit të urgjencës e promovoi edhe vetë Ministrja e Shëndetësisë Oferta Manastirliu, gjatë muajit korrik të këtij viti.