Tjetër rekord i errët për Sergio Ramos…

Sergio Ramos ishte një nga protagonistët e Real Madridit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, kundër Romës. Kapiteni i “Los Blancos” ka tejkaluar një rekord, që e ndante me Paul Scholes deri në minutën e 23-të të sfidës së të mërkurës në “Santiago Bernabéu”.
Sidoqoftë, Real Madridi nuk duhet të jetë shumë i kënaqur me statistikat e qendërmbrojtësit dhe liderit të vet. Sepse bëhet fjalë për “ndëshkime”. Ish-mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, e përfundoi karrierën e tij me 36 kartonë të verdhë, numër i njëjtë sa kishte Sergio Ramos deri dje.
Tashmë, kapiteni i kombëtares së Spanjës ka rekordin e tij në këtë drejtim, me plot 37 kartonë të verdhë. Një goditje e N’Zonzi në minutën e 23-të i ka kushtuar atij kartonin e verdhë, i treguar nga gjyqtari holandez, Bjorn Kuipers. Ky i fundit nuk ka hezituar edhe ta paralajmërojë kapitenin e Real Madridit.
Një tjetër rekord i errët
Nuk është rekordi i parë i këtij lloji që thyen qendrori andaluzian. Në dhjetor 2017 ai u bë lojtari më i ekspozuar karshi ndëshkimeve të arbitrave në historinë e La Liga-s, kur pa kartonin e tij të kuq të 19-të në një ndeshje të luajtur kundër Athletic. Ai e tejkaloi kuotën “18”, që Pablo Alfaro dhe Aguado kishin regjistruar, gjithashtu, sa iu përket kartonëve të kuq në karrierë.

Artikulli paraprakTe PSG të gjithë bëjnë atë që duan…
Artikulli tjetërPse Manchester City u turpërua nga Lyoni në startin e Champions