Një ‘zombi’ po shkon tek Presidenti

Nga Oerd BYLYKBASHI
‎‎
Ligji i Teatrit vdiq. Kur dekreti i vetos i Presidentit pranohet nga Parlamenti, ligji ka pushuar se ekzistuari. Por Rama u përpoq ta ngjallë duke amenduar një ligj të vdekur. Antikushtetuese? Kjo nuk është asgjë!
Sepse Edi Rama po rrëmben kompetencën që ka Presidenti që të ktheje me veto një ligj që shkel Kushtetutën. Pasi i hoqi “rropullitë” e vdekura, ligjit të Teatrit që vdiq pa parë ende diellin, Rama bëri amendamente si makiazh pa ndryshuar qëllimin korruptiv, duke ruajtur ‎të pandryshuar numrin e ligjit. Pra, në formë është i njejti ligj, me të njejtin numër. Këtë sajesë, që e quan ligj të njëjtë me atë që është votuar më parë sepse nuk ka ndryshuar numër dhe po ia dërgon Presidentit për dekretim.
Meqë Kushtetuta thotë se Presidenti nuk mund ta kthejë dy herë të njëjtin ligj, “ustallarët” e Ramës na paskan gjetur një hile antikushtetuese. Meqë numri i ligjit nuk ka ndryshuar, do të pretendojnë se Presidenti nuk mund ta kthejë përsëri me veto këtë ligj të Ramës.‎ ‎Pikërisht me këtë hile, Rama kërkon t’ia ‎hedhë, ligjin ta miratojë, gjoja të hapë garë, të fitojë Fusha dhe Rama të fitojë 200 milionë eurot.
Pse nuk paraqet ligj të ri Rama, ku të reflektojë kritikat e Presidentit? Sepse do të ishte qartazi ligj i ri me numër të ri dhe do të jepte mundësi për veto të re të Presidentit. Por Presidenti nuk shqyrton numrin e ligjit, por brendinë e tij.
Vetëm nëse Parlamenti do të rrëzonte dekretin e Presidentit, ‎që do të thotë se brendia e ligjit nuk do të ndryshonte,

Presidenti nuk e kthen dot më për rishqyrtim, sepse ia ndalon Kushtetuta, ngaqë Parlamenti vendosi përfundimisht duke rikonfirmuar të paprekur brendinë e ligjit të kthyer nga Presidenti. Ama, kur brendia e një ligji ndryshon sërish, qoftë edhe me një fjalë të vetme, Presidenti ka të drejtë ta shqyrtojë e ta kthejë përsëri në Parlament nëse është nevoja. Por në çdo rast, e gjithë ajo qe ndodhi dje ne Kuvend eshte antikushtetuese sepse nuk amendohet një ligj i rrëzuar nga Presidenti, pavarësisht ndonjë precedenti antikushtetues që mund të ketë kaluar pa u venë re.
Precedenti i keq nuk e ndryshon as germën as frymën e Kushtetutes. Ligji i rrëzuar tërhiqet dhe riparaqitet nga e para si inisiative e re dhe po të jetë nevoja, Presidenti e kthen sërish. Praktika kushtetuese italiane që ka të njejtin mekanizëm vetoje, lejon vetëm rivotim të ligjit te kthyer ‎pa bërë ndryshime. Pikërisht këtë po perpiqet të shmangë Rama sepse i prish shumë punë. Pra, me këtë hile Kryeministri, pasi ka marrë çdo pushtet, po i zhben tinëzisht Presidentit kompetencën kushtetuese të vetos me qëllim që ligji të kalojë patjetër.
‎Ligji i vdekur i Ramës po çapitet përsëri si një zombi drejt Presidencës, e më pas do t’i turret Teatrit dhe pronës publike për t’i shqyer.
Presidenti duhet ta ndalë patjetër këtë kërmë tërësisht antikushtetuese‎! Kjo është arma e fundit institucionale që ka mbetur tashmë që ka vdekur Gjykata Kushtetuese. Nëse Presidenti nuk shprehet, do ta quajnë këtë ligj-zombi të shpallur dhe do të hyje në fuqi. ‎
Ndoshta për ata që ende i besojnë “Reformës në Dredhësi” të Ramës, fjala Kushtetutë ka pak rëndësi dhe Gjykata Kushtetuese më mirë që nuk egziston. Por kjo e keqe që drejton sot Shqipërinë duhet shporrur me çdo kusht, ose ajo që kemi parë deri më sot nuk është ende asgjë!

Artikulli paraprakShpartallohet Prokuroria, jep dorëheqjen i besuari i Arta Markut, 10 prokurorë padisin kryeprokuroren
Artikulli tjetërÇështja “Shullazi”/ ‘Luftë’ tek Krimet e Rënda, ndërhyn policia