Ambasadorja e Trump injoron Bolton dhe pazaret Thaçi-Vuçiç: S’ndryshojmë qëndrim për Kosovën

Ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha të enjten se “pozicioni amerikan për Kosovën nuk ka ndryshuar dhe ajo mbetet vend mik i Shteteve të Bashkuara”.
E pyetur nga gazetarët për qëndrimin amerikan në dritën e deklarimit të mëhershëm të këshilltarit për siguri kombëtare John Bolton që “nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë rregullimin territorial”, ajo tha “nuk mendoj se pozicionet tona kanë ndryshuar. Ajo çka po dëgjoni është ajo që kemi thënë gjithmonë. Ne gjithmonë e kemi çmuar Kosovën, dhe e vlerësojmë si shtet mik dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Mund të ketë zëra individual në administratë që flasin, por kur flasim si administratë, do të flasim me një zë të vetëm dhe kështu do të jetë”, tha ajo.
Që nga deklarata e zotit Bolton, zyrtarë amerikan kanë ritheksuar se “Shtetet e Bashkuara duan t’u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje “krijuese”, që do të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe do të çojë përpara sigurinë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, senatori Ron Johnson tha më herët gjatë këtij muaji se “pas çdo marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do ta shohim atë për të parë nëse ka ndonjë shqetësim”.
Deklarimet e tilla pasuan qëndrimet e shprehura nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, për një marrëveshje që nuk përjashton ndryshimin e kufijve.
Presidenti serb, e ka shpallur politikë të tij për kufizimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa presidenti i Kosovës po vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Idetë e tilla janë nxitur edhe kundërshtime në një pjesë të vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermanisë e Britanisë, që druajnë për pasoja në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.

Në Kosovë, presidenti Thaçi përballet me kundërshtimin e një pjesë të partive në pushtet dhe partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje madje ka paralajmëruar protesta.
Mediet vendëse në Kosovë shkruan të enjten se presidenti i Kosovës, i përballur me pamundësinë për të siguruar mbështetje për një marrëveshje të mundshme i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ky nen i kushtetutës thotë se:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje:
(1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
(2) të drejtat dhe liritë themelore;
(3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare;
(4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.
2. Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare.
4. Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
5. Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare rregullohen me ligj.

“VOA”

Artikulli paraprakMjekët arrestohen, ndërsa simboli i shkatërrimit të shëndetësisë është ende i lirë
Artikulli tjetërThirrja e studiueses amerikane: Krimi pas ligjit për shembjen e Teatrit, ta kundërshtojmë